Arratisja e Altin Ndocit, arrestohet ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cerloj

Aktualitet | 9 muaj më parë

Ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, është arrestuar ditën e sotme (16 janar), pas arratisjes së Altin Nodocit. Cerloj u shkarkua nga detyra dy ditë më parë, me vendim të Ministrit të Drejtësisë.

Ai është personi i nëntë i vënë në pranga në lidhje me arratisjen e Ndocit, pas arrestimit të 6 efektivëve të policisë të cilët e shoqëruan atë në ambientet e Spitalit të Durrësit, zv.shefit të Policisë së Burgut dhe kryeinfermierit të spitalit.

Altin Ndoci, i njohur për precedentë penalë dhe i përfshirë në dosje të bujshme kriminale, u arratis tre ditë më parë nga Spitali Rajonal i Durrësit, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor.

Në një reagim mbi ngjarjen, Drejtoria e Burgjeve deklaroi se nga verifikimet paraprake u konstatua se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve. Po ashtu, sipas Drejtorisë së Burgjeve, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe autoritetet e policisë për planifikimin e vizitës mjekësore.

Pamje ekskluzive të siguruara nga RTSH.al kanë dokumentuar momentin kur Altin Ndoci është dërguar drejt ambienteve spitalore. Në pamjet e siguruara, ai shfaqet duke u transportuar me autoambulancë, pa pranga dhe i shoqëruar në krah vetëm nga një efektiv i policisë së burgjeve, ndërsa dy punonjës të tjerë shihen duke e ndjekur nga pas.

Pas ngjarjes, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, u shkarkua i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, përfshirë drejtorin, shefat e policisë, shërbimin shëndetësor dhe punonjës të tjerë të përfshirë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme