Arrestohet “truri” i Lëvizjes së 17 Tetorit, çështja po ndiqet nga Njësia Antiterrorizëm e Milanos

Europë | 48 minuta më parë

Një operacion i zhvilluar nga Policia e Shtetit në Milano ka çuar në identifikimin dhe shoqërimin e 30-vjeçarit Youssef Siher, i cili konsiderohet nga autoritetet si ideatori i dyshuar i grupimit “Lëvizja e 17 Tetorit”. Grupi në fjalë shfrytëzoi rrjetet sociale, veçanërisht faqen në Instagram “Movimento17 ottobre”, për të organizuar e nxitur veprime të dhunshme në disa qytete kryesore të Italisë pas trazirave të javës së kaluar.

Lajmin e bëri të ditur Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, i cili përmes një deklarate në rrjetet sociale vlerësoi punën e hetuesve dhe përcolli një mesazh të prerë mbi zbatimin e ligjit.

Piantedosi theksoi se “identifikimi i tij nga policia tregon aftësitë e jashtëzakonshme të hetuesve tanë dhe riafirmon një mesazh të qartë dhe të pakundërshtueshëm: nuk do të jenë të mundura streha të sigurta dhe shteti do të përgjigjet menjëherë kundër kujtdo që mendon se mund të organizojë sulme dhe trazira, ndërsa beson se mund të fshihet pas një balaklave ose anonimitetit të mediave sociale”.

Ndaj këtij zhvillimi ka reaguar edhe Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, i cili vuri në dukje profilin publik dhe integrimin e të dyshuarit në rrjetet akademike e mediatike. Crosetto deklaroi se “ai nuk ishte një i huaj, burrë me lidhje të forta që kishte shumë më tepër mundësi pune dhe bashkëpunime sesa shumica e kolegëve të tij. Nga gazetat te organet publike, ai u lidh me elitën e inteligjencies italiane. Dhe rezultatet ishin të dukshme”.

  • Youssef Siher (Profil Publik në Linkedin)

    Profili i të dyshuarit dhe ecuria e hetimeve

    Youssef Siher, me origjinë marokene i lindur dhe i rritur në provincën e Brescias, është një italian i gjeneratës së dytë me një karrierë të konsoliduar akademike dhe mediatike. Ai ka përfunduar studimet për Komunikim dhe mban një diplomë Master në Shkenca Politike nga Universiteti i Milanos, ku në vitin 2018 ishte anëtar themelues dhe kryetari i parë i Shoqatës së Studentëve Myslimanë. Sa i përket përvojës profesionale, ai ka punuar si hulumtues pranë Observatorit ISPI për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut gjatë vitit 2024, si dhe ka bashkëpunuar si gazetar i pavarur me mediat kombëtare, përfshirë gazeten Il Fatto Quotidiano.

    Aktualisht, çështja po ndiqet nga Njësia Antiterrorizëm e Prokurorisë Publike të Milanos, e koordinuar nga Prokurori Marcello Viola. Siher po hetohet për nxitje të rëndë për të kryer krim me qëllim terrorizmin përmes mjeteve të teknologjisë informative.

    Gjatë orëve të mëngjesit, agjentët e policisë kanë ushtruar kontrolle në shtëpinë e prindërve të tij në Brescia, si dhe në një banesë në Milano ku dyshohet se ai jetonte. Hetuesit kanë konfiskuar pajisjet e tij elektronike dhe po kryejnë një ekspertizë të detajuar kompjuterike për të zbërthyer rrjetin e komunikimeve dhe rolin e tij të plotë në organizimin e protestave të dhunshme.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme