Asambleja e PS, Klosi: Zgjedhja e strukturave vendore nga 21 marsi deri më 30 qershor. 4 anëtarë të rinj në çdo organizatë socialiste
Ka nisur punimet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste e cila në themel të saj ka procesin e ri të zgjedhjeve të brendshme, anëtarësimet e reja në parti, si dhe organizimi i strukturave të partisë në diasporë. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare vuri theksin te nevoja për rritjen cilësore të partisë dhe forcimin e strukturave në të gjitha nivelet.
“Zgjerim i anëtarësisë, përzgjedhje cilësore e drejtuesve vendorë dhe krijimi i degëve për diasporën janë prioritetet tona kryesore”, u shpreh ai.
Klosi bëri të ditur se procesi i riorganizimit do të shtrihet në disa faza, duke nisur nga sot e deri më 30 qershor. Sipas tij, nga 21 marsi deri më 16 prill do të zhvillohet faza e njohjes dhe analizës së çdo organizate socialiste, nga 16 prilli deri më 13 maj do të mbahen zgjedhjet në organizatat socialiste, ndërsa nga 16 maji deri më 12 qershor do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarët e partisë në bashki. Pas kësaj periudhe, deri më 30 qershor, do të bëhet konstituimi i organeve vendore.
“Punë e detajuar e asamblesë. Anëtarët e asamblesë do shpërndahen në gjithë organizatat socialiste nga sot deri më 12 qershor për 35 vjetorin e partisë. Ndjekja dhe raportimi i procesit zgjedhor në çdo organizatë përmes procesit digjital. Zgjedhja e strukturave vendore nga 21 marsi deri më 30 qershor dhe do jetë e ndarë në disa segmente, Nga sot deri më 16 prill njohja dhe analiza e çdo organizate, nga 16 prilli më 13 maj zgjedhjet në organizatat socialiste, nga 16 maji deri më 12 qershor zgjedhjet e kryetarëve të partisë në bashki. Pas 12 qershorit deri më 30 qershor konstituimi i organeve tona lokale”, theksoi Blendi Klosi.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm është zgjerimi i anëtarësisë, ku çdo organizatë socialiste do të synojë të shtojë minimalisht katër anëtarë të rinj, me fokus të veçantë te të rinjtë.
Klosi nënvizoi gjithashtu rëndësinë e aktivizimit të të rinjve në jetën politike, duke kërkuar krijimin e bërthamave rinore në çdo qendër votimi.
“Detyrë e çdo anëtari të Asamblesë është që në çdo qendër votimi të krijohen bërthama të të rinjve mbështetës, jo domosdoshmërisht anëtarë të PS-së. Çdo anëtar duhet të zhvillojë takime me të rinjtë – të paktën pesë në zonat rurale dhe mbi dhjetë në zonat urbane”, u shpreh ai.
Në prag të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, një tjetër fokus i punimeve të Asamblesë do të jetë edhe hartimi i një programi të posaçëm për vlerësimin e kontributorëve ndër vite.
“Ky nuk është vetëm një akt nderimi për themeluesit, por një mënyrë për të dokumentuar historinë e PS-së, për të forcuar kulturën organizative dhe për të ndërtuar arkivin historik të saj”, përfundoi Klosi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




