Atentat i dështuar në Elbasan, i bllokohet arma autorit, një 50-vjeçar i shpëton mrekullisht një tentative vrasjeje

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e së shtunës qytetin e Elbasanit, ku një 50-vjeçar i ka shpëtuar mrekullisht një tentative vrasjeje. Ngjarja, e cila ka ndodhur rreth orës 13:00 në ambientet e një lokali të mbushur me klientë në lagjen “28 Nëntori”, ka zgjatur vetëm pak sekonda, por ka mjaftuar për të shkaktuar panik të madh mes të pranishmëve.

  • Dinamika e atentatit

    Dinamika e këtij atentati të dështuar është zbardhur përmes pamjeve të kamerave të sigurisë. Objektivi i sulmit, shtetasi me inicialet E.K., i veshur me bluzë të zezë, fillimisht ndodhej brenda ambienteve të lokalit. Pasi ka kaluar përmes ambienteve të jashtme, ai është ndalur për pak sekonda. Pikërisht në këtë moment, lëvizjet e tij janë ndjekur në distancë nga autori i dyshuar, shtetasi P.B., 52 vjeç. Pamjet tregojnë se autori ka nxjerrë një armë zjarri tip pistoletë nga një çantë trupi dhe ia ka vendosur në kokë 50-vjeçarit, por fatmirësisht arma i është bllokuar në momentin e shkrepjes.

    Objektivi ka reaguar me shpejtësi, duke e shtyrë atentatorin dhe duke u larguar me vrap nga vendngjarja.

    Pasi e ka ndjekur për disa metra në këmbë, 52-vjeçari ka hequr dorë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Arratia e tij, megjithatë, ka qenë e shkurtër falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të rendit, të cilat finalizuan operacionin e koduar “Reagimi”.

    “Pas marrjes së njoftimit shërbimet e Policisë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit,” theksohet në njoftimin zyrtar të uniformave blu, të cilat shtojnë se “falë reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve profesionale u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit P. B.”

    Operacioni policor

    Gjatë operacionit policor, grupi hetimor arriti të lokalizojë dhe të bllokojë edhe armën e dyshuar të krimit.

    “Njëkohësisht, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin,” konfirmon Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan.

    Deri në këto momente, motivet që fshihen pas këtij atentati të mbetur në tentativë janë të paqarta. Policia dhe Prokuroria po punojnë paralelisht për mbledhjen e provave shtesë dhe dëshmive nga vendngjarja.

    “Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit,” përfundon deklarata zyrtare e Policisë.

    /rtsh.al/

     


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme