Atentati në Rinas/ Prokuroria kërkon pezullimin e drejtorit të AMP-së: Punësoi Muçi Shaljanin në kundërshtim me ligjin

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre ose shërbimi publik” për drejtorin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, G.Sala.,pasi akuzohet se ka lejuar në shkelje të ligjit punësimin e agjentit Muçi Shaljani.
Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga vetë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, mbi punësimin në shkelje të ligjit të Muçi Shaljanit, i cili humbi jetën në atentatin e 11 nëntorit në Rinas së bashku me mikun e tij Gilmando Dani (i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit).
Sipas Prokurorisë, Shaljani ishte punësuar prej afro 2 muajsh si ndihmëspecialist në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së, duke përdorur dokumentacion të falsifikuar.
Kërkesa për punësimin e tij u dorëzua më 09.09.2025, ndërsa pranimi u bë më 15.09.2025, përmes një urdhri që shkelte ligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe VKM Nr.532, datë 29.07.2022, që rregullon procedurat e rekrutimit dhe funksionimin e agjencisë.
Ligji dhe rregullorja përcaktojnë qartë se punësimi i personelit të AMP-së duhet të kalojë nëpërmjet shpalljes së vendeve vakante, testimit, verifikimit përfundimtar dhe kontratës përkatëse. Hetimet kanë vërtetuar se asnjë nga këto faza nuk është zbatuar në rastin e Muçi Shaljanit.
Drejtori G.Sala ka deklaruar se ka firmosur vetëm për anën formale të akteve dhe jo për përmbajtjen, duke u bazuar në motivimin e “nevojës emergjente” për punësimin e Muçi Shaljanit.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, veprimet dhe mosveprimet e tij kanë konsumuar elementet e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Shaljani u punësua në vetëm 4 ditë pune (nga 09.09.2025 deri më 16.09.2025), pa u paraqitur ndonjëherë në detyrë, ndërsa marrëdhëniet financiare i janë lidhur rregullisht deri më 11.11.2025, ditën e ngjarjes fatale në Rinas.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



