Austria dëbon katër diplomatë rusë nën akuzat për spiunazh

Europë | 16 minuta më parë

Qeveria austriake ka urdhëruar katër diplomatë rusë të largohen nga vendi brenda pak ditësh, pasi u akuzuan për përfshirje në aktivitete spiunazhi. Vendimi e çon në 18 numrin e përgjithshëm të diplomatëve të Moskës të dëbuar nga Austria që nga viti 2020.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Jashtme e Austrisë, zyrtarët e shpallur persona non grata përfaqësonin dy struktura të ndryshme diplomatike ruse në Vjenë.

“Tre nga katër ishin diplomatë në Ambasadën Ruse në Vjenë, ndërsa i katërti ishte i vendosur në misionin e Moskës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)”, bëri me dije Ministria, duke sqaruar se ata u angazhuan në “aktivitete të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik”.

Arsyetimi prapa këtij aksioni lidhet me statusin e veçantë të Vjenës si qendër diplomatike globale, por edhe si një vatër e njohur për aktivitetet e inteligjencës për shkak të kuadrit ligjor ekzistues. Agjencia vendase e inteligjencës (DSN) nëvizoi në raportin e saj të fundit se “shërbimet ruse të inteligjencës e përdorin Austrinë jo vetëm si një bazë operative, por edhe si një vend planifikimi dhe rezervë për aktivitetet e inteligjencës në të gjithë Evropën”.

Rasti më i fundit pason dëbimin e majit, ku tre punonjës të ambasadës u larguan për shkak të përdorimit të antenave në ndërtesat diplomatike për të përgjuar të dhënat e organizatave ndërkombëtare.

Aktualisht, qeveria austriake po punon për rishikimin e legjislacionit mbi spiunazhin – një nismë e mbështetur nga ministrja e Jashtme Beate Meinl-Reisinger dhe partia Neos – me qëllim që dënimi ligjor të mos kufizohet vetëm ndaj veprimeve kundër Austrisë, por të mbrojë edhe organizatat ndërkombëtare me seli në Vjenë, si OKB, IAEA, OSBE dhe OPEC.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme