Autoambulancë dhuratë për spitalin e Kukësit – Emigranti Xhehair Ferati kontribuon për qytetin e tij
Spitalit Rajonal të Kukësit i është shtuar autoambulancë të re, e cila ka ardhur si dhuratë nga emigranti Xhehair Ferati, me origjinë nga fshati Bardhoc. Ferati prej vitesh jeton dhe ushtron aktivitetin e tij në Gjermani, por nuk ka harruar të kontribuojë për vendlindjen.
Drejtori i Spitalit Rajonal të Kukësit, Saimir Shehu, vlerësoi këtë kontribut dhe shprehu mirënjohjen e institucionit për gjestin human të dhuruesit.
“Kjo ambulancë na rrit mundësinë për t’ju përgjigjur qytetarëve në mënyrën sa më të mirë të mundshme”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, Xhehair Ferati u shpreh se kjo dhuratë është një përpjekje modeste për të ndihmuar shërbimin spitalor, ndërsa shfrytëzoi rastin për t’u bërë thirrje edhe personave të tjerë që kanë mundësi të kontribuojnë në fusha të ndryshme për komunitetin.
“Kontaktova drejtorin dhe e pyeta si është mundësia për të dhuruar një ambulancë”, tha Ferati.
Edhe stafi mjekësor e ka përshëndetur këtë dhuratë. Mjeku Emin Ferati, një nga mjekët me kontribut në këtë spital, falënderoi dhuruesin, duke theksuar se autoambulanca do t’i shërbejë për një kohë të gjatë pacientëve të zonës.
“Është një gjest shumë humanitar”, tha mjeku.
Spitali Rajonal i Kukësit ka përfituar herë pas here nga donacione të ndryshme, si rasti i autoambulancës dhe ndërtimi i një pusi uji disa kohë më parë, duke ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




