Avokati Cakrani publikon analizën financiare të Ilir Metës nga ’95 deri në 2023: Zero pasuri të luajtshme apo të paluajtshme

Kujtim Cakrani, avokati i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim, deklaroi në një konferencë për media se ndaj klientit të tij kanë dalë rrethana të reja, të cilat sipas tij, e bëjnë të domosdoshëm komunikimin me publikun përmes përfaqësuesve ligjorë.
Sipas avokatit, hetimet ndaj Metës kanë përfunduar më 4 gusht 2025, ndërsa që prej 28 gushtit 2025 çështja ndodhet në seancë paraprake, e cila sipas ligjit duhej të përfundonte brenda një muaji. Ai theksoi se kanë kaluar mbi katër muaj e gjysmë pa nisur shqyrtimi paraprak, duke e cilësuar këtë si shkelje të rëndë të Kodit të Procedurës Penale dhe të Kushtetutës.
Avokati deklaroi gjithashtu se Meta ndodhet në kushte paraburgimi që, sipas tij, tejkalojnë çdo standard ligjor, kushtetues dhe human, duke shtuar se ndaj tij ka pasur sulme të vazhdueshme politike dhe personale.
“Ai është tashmë në izolim total, izolim i paprecedentë. Presidenti i Partisë së Lirisë, numri dy i opozitës, nuk i jepet mundësia të komunikoj me qytetarët, kolegët, bashkëpunëtorët e ata që duhet të komunikojë.
Problemi është që hetimet kanë përfunduar që në 4 gusht 2025 dhe prej 28 gusht 2025 Meta është në seancë paraprake. Seancë që duhej të përfundojë ligjërisht Brenda 1 muaji. Ne sot jemi plot 4 muaj e gjysmë dhe s’kemi nisur seancën paraprake. Që do të thotë, është shkelje e rëndë e ligjit procedural penal, kushtetutës.
Kjo e ka rënduar pozitën e kësaj drejtësie inkuizitore ku ne para vitit 2025 kemi bërë kërkesë për zëvendësim mase. Kjo kërkesë ishte e bazuar për t’i dhënë pamjen e një drejtësie që funksionon. Por gjyqtarja Irena Gjoka, nuk e pranoi kërkesën dhe e ka rrëzuar. Ne do vazhdojmë. Kjo është betejë ligjore”, deklaroi Cakrani.
Sa i përket pasurisë së Ilir Metës, Cakrani mohoi kategorikisht akuzat për përfitime të paligjshme, duke deklaruar se analizat financiare të kryera nga mbrojtja tregojnë se Meta nuk ka pasuri të luajtshme apo të paluajtshme.
Sipas tij, nga viti 1995 deri në vitin 2023, të ardhurat e Metës nga funksionet publike kanë qenë rreth 87.5 milionë lekë, ndërsa shpenzimet e deklaruara janë ndjeshëm më të ulëta, duke pretenduar se kursimet e tij kanë qenë të justifikuara dhe të ligjshme.
Ai kritikoi analizat financiare të Prokurorisë, duke pretenduar se ato janë të cunguar dhe se kanë nisur vetëm nga viti 2002, ndërsa mbrojtja ka përfshirë të gjithë periudhën e aktivitetit politik të Metës.
“Pasuria e z.Meta, është zero, të luajtshme dhe të paluajtshme e them edhe pse kemi marrë kosto. Ka punuar me dinjitet, me pastërti. Nga analizat financiare që ne kemi bërë, jo ato të cunguarat që ka bërë Prokuroria që e ka nisur analizën në vitin 2002. Thua se z.Meta para 2002-shit nuk ka ekzistuar.
Ne kemi bërë analizën financiare, të ardhurat dhe shpenzimet normale. Prej 1995-2023. Në 1995 ne disponojmë dokumentacionin e vënë në dispozicion nga Kuvend. Z.Meta aktivitetin politik e ka nisur në 1992.
Prej 1995 deri në 2023, të gjitha të ardhurat e z.Meta nga puna si deputet, ministër, zv.kryeminisër, kryeministër, kryetar kuvendi dhe në fund president, kanë qenë 87 milionë e 500 mijë lekë.
Shpenzimet e tij, janë në shumën 39 mijë. 530 milionë lekë ka në avancë z.Meta. I ka pasur këto kursime. Nuk i ka më. Ka dhe fëmijë.
Ky paska fituar 200 mijë euro nuk e di ku e kanë shpikur organi I procedurës për të fshehur veprimet arbitrarë që ka bërë. Shpenzimet dhe të ardhurat janë tashmë publike dhe ne prandaj e kemi thënë gjithmonë: nuk ka as pasuri të luajtshme dhe as të paluajtshme z.Meta”, përfundoi Cakrani.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




