Babai i Ervis Martinajt në GJKKO: Djali im është ekzekutuar në Durrës. Fatin e tij e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë

Aktualitet | 7 muaj më parë

Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinajt, u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku dëshmoi në procesin gjyqësor për pronat e të birit dhe personave të lidhur me të.

Gjatë dëshmisë së tij, lidhur me fatin e të birit, Martinaj tha se ai është ekzekutuar në Durrës.

“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës”, ka deklaruar ai.

Ai shtoi se për këtë çështje ka dhënë shpjegime para Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku është paraqitur me iniciativën e tij vetëm dy muaj pas ngjarjes.

“Për këtë çështje kam dhënë shpjegime para shpjegimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë 2 muaj pas ngjarjes. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit. Nuk kam për çfarë të interesohem. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Kam ardhur se më ka thirrur gjykata, jam invalid, kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore”, ka theksuar ai.

Ervis Martinaj është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, ku është lakuar në ngjarje të ndryshme që nga aksioni “Fundi i Marrëzisë” për lojërat e fatit e deri tek ngjarjet e rënda kriminale. Ai rezulton i zhdukur që prej 8 gushtit 2022 dhe për fatin e tij nuk dihet ende asgjë.

Në vitin 2023 me vendim të Gjykatës së Posaçme, Ervis Martinajt, familjarëve të tij dhe personave të lidhur me të iu sekuestruan 23 pasuri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme