Balla: Mbështesim kërkesën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për provimin në gjuhën shqipe

Maqedonia e Veriut | 4 muaj më parë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar sot duke shprehur mbështetjen e tij për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe.

Ai e cilësoi kërkesën e tyre si të drejtë dhe të natyrshme, duke theksuar se përdorimi i gjuhës shqipe në proceset akademike është një e drejtë themelore që duhet respektuar.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla tha se mbështet kërkesën legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, që nuk u lejohet, edhe pse Kushtetuta e njeh si të drejtën e tyre.

“Nëse procedurat rezultojnë të mangëta, është detyrim i Parlamentit dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme”, tha Balla.

Mijëra qytetarë në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, shumica prej tyre studentë dhe staf akademik, zhvilluan për herë të dytë radhas protestë duke kërkuar mbajtjen e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Me pankarta në duar, protestuesit kanë nisur marshimin në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë. Një nga kërkesat kryesore të studentëve është që provimet të organizohen dhe të zhvillohen në gjuhën shqipe.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme