Balla: Siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria, gurthemeli i procesi të integrimit. Sfidë, ushqimet e skaduara të importuara
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u shpreh gjatë fjalës së tij në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian se viti 2026 do të jetë një vit kyç për punën parlamentare dhe për përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Vjen në një moment kyç, viti 2026 do të jetë viti më intensiv i punës parlamentare. Kjo s’ka të bëjë me ligjet që do duhet të kalojnë në Kuvend, sa i përket procesit të përafrimit të legjislacionit. Vetëm në 2 seancat e fundit të Kuvendit, ne kemi kaluar mbi 30 ligje që kanë pasur si objekt çështje të përmbushjes së piketave që kanë dalë përgjatë procesit të negociatave, për raundin e radhës të mbledhjes ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së. Në planifikimin tim mendoj që do jenë mbi 200 ligje që do duhet të shqyrtojmë brenda këtij sesioni që mbyllet në fund të korrikut”, tha Balla.
Ai nënvizoi se disa rekomandime të Komisionit Europian për vitin 2025, sidomos në fushën e sigurisë ushqimore, lidhen drejtpërdrejt me një prej kapitujve më të vështirë të negociatave.
“Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitarisë janë një gurthemeli i këtij procesi. Na duhet ti shohim si një vend që po bëhet gati të bëhet pjesë funksionale e tregut të brendshëm europian. Na duhet të përmbushim sa më shpejt kërkesat, parakushtet, piketat në këtë fushë, të cilat nuk mund të plotësohen vetëm me ato që bëjmë ne në Kuvend. Kjo kërkon ndërtim të një sistemi kontrolli efektiv, transparent dhe të mbështetur mbi shkencë. Siguria ushqimore është dhe shkencë”, theksoi ai.
Përmirësimi i zbatimit të legjislacionit, forcimi i kontrollit dhe rritja e kapaciteteve të AKU-së, janë disa prej pikave në të cilat vendi ynë do duhet të punojë për t’i përmirësuar. Balla theksoi se një prej sfidave më të mëdha, janë ushqimet e skaduara të importuara. Për këtë ai deklaroi se do duhet hartimi i një qasje më proaktive dhe më të integruar mes institucioneve.
“Na është kërkuar të përmirësojmë zbatimin e legjislacionit, forcimin e kontrollit dhe rritjen e kapaciteteve të AKU-së, si pjesë e varësisë direkte të ministrisë, zhvillimin e laboratorëve dhe garantimin e standardeve në pikat e kontrollit kufitare. Një prej sfidave më të mëdha janë ushqimet e skaduara që hyjnë nga jashtë, dhe na duhet të hartojmë një qasje më proaktive dhe më të integruar mes këtyre institucioneve”,tha Balla.
Ai theksoi se hapa kyç për ndërtimin e një sistemi modern dhe të besueshëm të sigurisë ushqimore janë ligji i ri për kontrollet zyrtare, i përafruar me rregulloren e BE-së të 2017-ës, dhe ligji i ri për ushqimin.
“Nëse duam të ecim para në negociata, për të shkuar në objektivin për mbylljen e bisedimeve përpara Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm, në mënyrë që gjatë 2028-ës marrëveshja të shkojë për tu ratifikuar në parlamentet e vendeve anëtare dhe të përmbyllim anëtarësimin e plotë brenda kësaj dekade”, përfundoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




