Banorët e Rrjollit protestë para SPAK, kërkojnë hetim për dosjen e pronave
Banorët e fshatit Rrjoll kanë dalë në protestë përpara Prokurorisë së Posaçme kundër ndërtimit të resortit turistik në zonën e Velipojës.
Banorët deklarojnë se kanë dokumentacionet e duhura se tokat janë në pronësi të tyre brez pas brezi që nga vitet 1930-të, ndërsa shprehen se Gjykata dhe Prokuroria e Shkodrës nuk i kanë hetuar si duhet kallëzimet e tyre.
Për të dytën herë, ata janë drejtuar përmes një proteste përpara SPAK prokurorëve, që të marrin në dorë dosjen. Ata kërkojnë nga SPAK verifikimin e punës së prokurorëve e gjykatës së Shkodrës dhe të vërtetohet se pronat janë në pronësi të tyre dhe jo të një personi që u ka dhënë ato një investitori që ky i fundit të ndërtojë një resort turistik në fshatin e tyre.
Banorët pritet të japin në SPAK emrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët sipas tyre kanë abuzuar me dosjen që ata kanë çuar në prokurorinë dhe gjykatën e Shkodrës.
Banorët e Rrjollit depozituan pak ditë më parë një kërkesë zyrtare në Prokurori, ku kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë ligjore lidhur me vërtetësinë e dokumenteve që disponojnë për pronësinë e tokës në zonën e Rrjollit, aty ku po ndërtohet resorti turistik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




