Bardhi takon ambasadorin spanjoll: Nuk ka BE pa institucione të pavarura dhe zgjedhje të lira

Politikë | 7 muaj më parë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një takim zyrtar me Ambasadorin e Spanjës në Tiranë, Gabriel Cremades, ku në qendër të diskutimeve ishte rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe sfidat e brendshme me funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

Përmes një reagimi publik pas takimit, Bardhi bëri të ditur se ka falënderuar diplomatin spanjoll për mbështetjen e vazhdueshme që Madridi zyrtar i jep vendit tonë në procesin e anëtarësimit në BE.

“Kënaqësi takimi me Ambasadorin e Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades, ku bashkërisht vlerësuam marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona, duke theksuar nevojën e bashkëpunimit edhe më të ngushtë në disa fusha. E falënderova Ambasadorin për mbështetjen që Spanja i jep vendit tonë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por theksova shqetësimin e opozitës se në themel të këtij procesi duhet të jetë respektimi i shtetit ligjor dhe zbatimi i standardeve demokratike të qeverisjes.”, shkruan Bardhi.

Sipas tij, në themel të afrimit me familjen evropiane duhet të qëndrojë domosdoshmërisht respektimi i shtetit ligjor dhe zbatimi i standardeve të larta demokratike të qeverisjes.

Një theks i veçantë gjatë bisedës i është kushtuar luftës kundër korrupsionit në nivelet e larta shtetërore. Bardhi ndau me Ambasadorin Cremades mbështetjen e Partisë Demokratike për qëndrimin e fundit të mbajtur nga Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian, David McAllister.

Duke iu referuar deklaratës së zyrtarit të lartë evropian, Bardhi nënvizoi se “çështja Balluku” përbën tashmë një test kritik për Shqipërinë. Kjo dosje, sipas opozitës dhe përfaqësuesve të PE-së, do të masë seriozitetin real të shtetit shqiptar në zbatimin e reformës në drejtësi dhe në goditjen e pandëshkueshmërisë.

“Rikonfirmova mbështetjen për qëndrimin publik të Kryetarit të Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian, McAllister se “çështja Balluku përbën një test kritik për Shqipërinë në respektimin e reformës në drejtësi dhe në seriozitetin e luftës kundër korrupsionit.”, thekson Bardhi.

Në mbyllje të qëndrimit të tij, numri dy i Partisë Demokratike garantoi angazhimin e plotë të opozitës për të mundësuar ndërtimin e institucioneve të pavarura që funksionojnë jashtë ndikimit politik. Ai theksoi se objektivi kryesor mbetet sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si i vetmi mekanizëm demokratik që garanton rotacionin politik përmes vullnetit të qytetarëve.

“Partia Demokratike dhe opozita janë të gatshme të bëjnë gjithçka që Shqipëria të ketë institucione që funksionojnë sipas ligjit dhe zgjedhje të lira e të ndershme, që garantojnë rotacion politik përmes votës së qytetarëve.”, mbyll postimin Bardhi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme