Basketboll/ Trukime ndeshjesh në Greqi, arrestohet kreu i federatës dhe disa gjyqtarë

Pas një hetimi gjashtëmujor mbi dyshimet për trukim ndeshjesh, autoritetet greke kanë ndërmarrë një operacion të gjerë që prek basketbollin vendas. Mes të arrestuarve, së bashku me disa gjyqtarë dhe një ish-sportist, është edhe presidenti i Federatës Greke të Basketbollit, Vangelis Liolios, i cili e mban këtë post që nga shtatori i vitit 2021.
Lajmi është bërë i ditur nga agjencia e lajmeve ANA. Hetimi nisi në prill, pas një ankese të paraqitur nga skuadra Maroussi me seli në Athinë, ndërsa raportohet se disa dëshmitarë kanë pranuar se kanë marrë ryshfet.
Sipas ANA-s, rreth pesëdhjetë ndeshje nga Divizioni i Parë grek dhe ligat më të ulëta, që datojnë që nga viti 2016, janë nën hetim.
“Prej vitesh kemi vuajtur për shkak të vendimeve skandaloze të gjyqtarëve, të marra nga individë të caktuar në shkelje të rregulloreve. Klubi ka humbur tituj, është detyruar të luajë me dyer të mbyllura dhe ka paguar qindra mijëra euro gjoba, sepse pronari i tij, Dimitris Giannakopoulos, i dënoi publikisht këto praktika dhe mbajti qëndrim kundër tyre – ndërsa të gjithë të tjerët heshtën,” deklaroi Panathinaikos, kampionët e Evropës për vitin 2024.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




