BE heton dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaj gjatë trazirave në Francë

Botë | 1 orë më parë

Bashkimi Evropian ka nisur shqyrtimin e dyshimeve për ndërhyrje të huaja dhe fushata dezinformimi në internet, të lidhura me trazirat e fundit në Francë dhe shpërthimet e dhunës në disa vende të tjera evropiane. Rusia, Irani dhe Algjeria janë në qendër të dyshimeve për fushata ndikimi online, ndërsa autoritetet evropiane po shqyrtojnë rolin e rrjeteve sociale në përhapjen e videove të rreme dhe përmbajtjeve nxitëse.

Sipas një raportimi të Financial Times, llogari pro-ruse dhe të ekstremit të djathtë në rrjetet sociale kanë shpërndarë pamje të dhunshme, përfshirë video të paraqitura gabimisht si të regjistruara në Francë. Ekspertët dyshojnë gjithashtu për operacione ndikimi që mund të lidhen me Iranin dhe Algjerinë.

Autoritetet evropiane po shqyrtojnë veçanërisht rolin e platformave sociale në përhapjen algoritmike të përmbajtjeve që mund të nxisin tensione, dhunë dhe gjuhë urrejtjeje.

Një zyrtar i lartë i inteligjencës evropiane deklaroi se deri tani nuk ka prova konkrete që agjentët rusë të kenë nxitur drejtpërdrejt dhunën në rrugët franceze. Sipas tij, aktiviteti i identifikuar lidhet kryesisht me reagime dhe manipulim të përmbajtjeve në internet, ndërsa hetimet janë ende në fazat e para.

Komisioni Evropian ka zhvilluar takime me autoritetet franceze dhe organet rregullatore për të diskutuar bashkëpunimin me platformat online, përfshirë X dhe TikTok.

Brukseli kërkon që platformat të parandalojnë keqpërdorimin e algoritmeve për përhapjen masive të përmbajtjeve të dhunshme dhe nxitëse. Sipas zëdhënësit të Komisionit Evropian, Thomas Regnier, dhuna që ndodh në terren nuk duhet të amplifikohet apo të nxitet nga algoritmet në internet.

Komisioni ka bërë të ditur se situata po menaxhohet aktualisht nga autoritetet kombëtare, por mund të ndërhyjë nëse rreziku bëhet sistemik dhe platformat nuk bashkëpunojnë.

Sipas zyrtarëve të inteligjencës, pakënaqësitë e brendshme dhe radikalizimi politik mbeten faktorë thelbësorë për të kuptuar protestat, ndërsa aktorët e huaj mund të përpiqen t’i shfrytëzojnë ato përmes fushatave online.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme