Begaj takon kryetaren e Preshevës: Shqipëria do të mbetet zëri i shqiptarëve në Luginë

Politikë | 7 muaj më parë

Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim Kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Biseda u fokusua në çështjet që shqetësojnë shqiptarët e Preshevës, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore që u takojnë, si edhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik të tyre.

Presidenti i Republikës siguroi Kryetaren e Komunës së Preshevës se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet zëri i shqiptarëve  në Preshevë, në Bujanoc e Medvegjë.

“Do të vijoj të bëj prezent në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe në të gjitha takimet e mia me partnerët shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në mbrojtje të të drejtave të tyre.”- u shpreh Presidenti Begaj.

Në takim u theksua angazhimi i Shqipërisë në betejën kundër pasivizimit të adresave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, e cila sjell mohimin e të drejtave themelore të tyre, nga e drejta e votës, deri te kujdesi shëndetësor, arsimimi dhe përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e vendit ku jetojnë.

Kreu i Shtetit përgëzoi gjithashtu, futjen ne progres raportin e Bashkimit Evropian të problematikave në Luginë, përpjekjet për dërgimin e çështjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe pranimin e padisë nga ky organizëm për pasivizimin e adresave, si një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë mbi respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë në Serbi.

Po ashtu, Presidenti i Republikës vlerësoi sensibilizimin që po i bëjnë kësaj çështjeje ligjvënësit amerikanë, të cilët po kërkojnë shqyrtimin e këtyre shqetësimeve nga DASH.

Presidenti Begaj vlerësoi se çështjet që lidhen me identitetin tonë kombëtar dhe kulturor duhet të  bëjnë bashkë faktorët në Luginën e Preshevës duke këshilluar forcimin e bashkëpunimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme