Berisha apel intelektualëve: Braktisni konformizmin, mazhoranca po përdor Ballukun si mburojë për korrupsionin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përmes fjalës së tij drejtuar mbështetësve në tubimin e së hënës, ka lëshuar një thirrje ndaj shtresës intelektuale në vend, duke u kërkuar të reagojnë kundër qeverisjes aktuale. Sipas liderit të opozitës, heshtja dhe konformizmi i profesionistëve po shërben si mjet për mbajtjen në pushtet të asaj që ai e quan “organizatë kriminale”.
Gjatë fjalës së tij nga “Foltorja”, Berisha iu drejtua drejtpërdrejt mësuesve, mjekëve, inxhinierëve, ekonomistëve dhe juristëve, duke u kërkuar të kthehen në “avokatë të pamposhtur të interesave të kombit”. Ai e cilësoi konformizmin me regjimin si “mëkatin më të madh” dhe një “gabim të pafalshëm”.
“Të mos harrojnë kurrë investimin e madh që shoqëria dhe prindërit kanë bërë për shkollimin e tyre,” u shpreh Berisha. Sipas tij, heshtja e shtresës intelektuale po i hap rrugë rrënimit të sistemit arsimor dhe shëndetësor, si dhe po nxit atë që ai e konsideron si “spastrim etnik” të profesionistëve nga vendi.
Akuzat për korrupsion dhe mbrojtja e zyrtarëve
Në fokus të fjalës së kryedemokratit ishin edhe zhvillimet e fundit politike. Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe deputetët e mazhorancës se po përdorin zyrtarët e lartë si parzmore politike për t’u mbrojtur nga drejtësia.
Duke iu referuar zëvendëskryeministres Belinda Balluku me nota të ashpra (duke e cilësuar “Lubi Balluku”), kryetari i PD-së pretendoi se qeveria po e përdor atë si mburojë për të mbuluar abuzimet dhe vjedhjet e kryera nga vete kreu i qeverisë.
“Ky është akti më i rëndë, më sfidant, më poshtërues dhe fyes për çdo qytetar shqiptar,” theksoi ai, duke shtuar se mazhoranca po përdor mandatet për të mbrojtur veten.
Berisha, njoftoi edhe zhvillimin e një proteste kombëtare ditën e enjte, më 12 mars, në orën 10:00, përpara godinës së Parlamentit. Ky tubim do të përkojë me seancën plenare ku pritet të votohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit dhe lejen për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Rreziku i integrimit dhe asgjësimi i institucioneve
Paralelisht me akuzat për keqqeverisje, kryetari i Partisë Demokratike paralajmëroi se veprimet e fundit të mazhorancës po rrezikojnë seriozisht të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Sipas Berishës, keqpërdorimi i pushtetit po shkatërron ëndrrën e integrimit.
“Kur shkelet Kushtetuta, kur drejtësia asgjësohet, nuk ka më shtet, por ka një bandë, ka një parashtet. Nuk ka më ecje përpara, por ka kthim në të shkuarën,” përfundoi Berisha, duke e mbyllur fjalën e tij me një apel për qendresë qytetare dhe duke i ftuar intelektualët t’i bashkohen protestave në shesh.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




