Berisha në Njësinë 4: Zgjedhjet në diktaturë janë farsë, vota vdes para se të hyjë në kuti

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar këtë pasdite turin e foltoreve me demokratët e njësisë 4. Ai tha se diktaturat, zgjedhjet i kanë farsë dhe se vota vdes para se të mbërrijë në kuti ndaj ftoi të gjithë mbështetësit të bëhen pjesë e protestës në datën 24 janar për të shembur diktaturën autoritare të Edi Ramës e cila ka e ka zbrazur Shqipërinë, duke larguar 1.1 milionë shqiptarë vetëm në hapësirën ‘Shengen’.
“Të dashur anëtarë dhe anëtare të Partisë Demokratike, dega 4, qytetarë dhe qytetare të kësaj lagjeje, të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, mbështetësit e mia më të përzemërta.
I dashur zoti kryetar, i dashur Besart, Ilir, Klevis, mirëmbrëma dhe shumë përshëndetje.
Vij sot tek ju, në një moment jashtëzakonisht të veçantë për Partinë Demokratike, për opozitën, por edhe për vendin.
Vij sot në një moment kur Partia Demokratike dhe opozita ndodhet para provës më të madhe në tërë ekzistencën e saj. Ndodhet para provës së përmbushjes së misionit të saj: shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga një regjim, i cili është një regjim diktatorial.
Jo i llojit totalitar që nuk pranon asnjë lloj opozite, i llojit autoritar që e pranon pluralizmin por e shtyp atë. Për një pjesë të mirë nga ju që kanë jetuar diktaturën komuniste, e kanë të qartë sa ajo ishte regjimi më opresiv, më shtypës që mund të imagjinohej.
Dhe në atë regjim, në rast se vendosje ta kundërshtoje, hapje me duart e tua dyert e burgut ose varrin tënd, ose internimin tënd.
Në diktaturat autoritare nuk ndodh kjo. Dhe ky është një dallim thelbësor. Diktaturat autoritare, në qoftë se je i vendosur, mund të qëndrosh i pamposhur, pavarësisht nga qëndrimet e saj. Por, në të dy rastet, pushteti është në duart e një njeriu.
Ata që i kanë analizuar dhe studiuar këto kanë gjetur se më e keqja e të gjitha formave të diktaturave, nuk është ajo që mbushte vendin me burgje dhe kampe. Më e keqja e të gjitha të këqijave është diktatura e bandave. Ata që e kanë studiuar e thonë këtë, është më e keqja sepse diktatura e bandave nuk ka asnjë rregull. Nuk ka asnjë ligj. Nuk respekton asnjë normë. Nuk respekton asnjë standard.
Ajo vërtet, në dallim nga e para, nuk ekzekuton, por kjo ekzekuton shpresën. Kjo është një shpresëvrasëse e pamëshirë. Dhe largon njerëzit sa asgjë tjetër nga Shqipëria, nga vendi.
Miq, nga viti 2014 gjer në vitin 2023, vetëm në hapësirën europiane, në Schengen, kanë emigruar 1 milion e 100 mijë shqiptarë. Nga të cilët rreth 700 mijë të rinj. Pra, rriten në Shqipëri, por ëndrrën shqiptare nuk e ndërtojnë dot në Shqipëri. Marrin rrugët e Europës, rrugët e botës për të ndërtuar ëndrrën e tyre.
Dhe ne pakësohemi, pakësohemi, pakësohemi. Në çfarë shkalle? Pakësohemi në atë shkallë, saqë të gjithë, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe çdo institut tjetër që merret me demografinë, shqiptarët i shikon si një komb në zhdukje.
Si një komb që sot kanë lindur atë numër fëmijësh që lindnin 100 vite më parë. Kur ata ishin në regjistra 700 mijë. Shqiptarët nga viti 2018 gjer sot, humbasin, mijëra e mijëra qytetarë ndahen nga jeta më shumë sesa lindin.
Në 10 vite, si kurrë dhe si asnjë vend tjetër, jemi plakur 10 vjet. Mosha mesatare jonë është rritur 10 vjet. Në 10 vite, vendi pra u boshatis nga shpresa.
Por në qoftë se në 2013-ën ne ishim njerëzit më të paguar, pak merrnim, nuk merrnim shumë, po më të paguar ishim se të gjithë këta që janë përreth nesh, përveç grekëve. Më të paguar se dhe bullgarët dhe rumunët.
Sot jemi më të keqpaguarit. Sot 49% e jona është buzë varfërie ose në varfëri.
Të dy diktaturat, ajo totalitarja dhe kjo autoritare, jetojnë dhe mbijetojnë se ato nuk lejojnë qytetarët të votojnë. Se procesin zgjedhor ato e kanë farsë. E kanë farsë. Në të dy diktaturat vota vdes para në kuti. Tek e para me dajre dhe daulle, tek e dyta me patronazhistë, me banda dhe forma të tjera”, u shpreh Berisha.
Berisha shpreh se, PD-ja ja doli që të demaskojë dhe të gozhdojë Edi Ramën, duke e paraqitur atë siç është para ndërkombëtarëve.
“Ky realiteti i Shqipërisë. Në diktaturën e dytë thashë ligji nuk ekziston. Ka dy muaj që prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut, Lubi Ballukut, dhe asgjë nuk ndodh.
E mbron Edi Rama me të gjithë forcën e tij, pavarësisht se si ajo në historinë e këtij vendi nuk gjendet një e dytë, përveç Edi Ramës, që të ketë vjedhur këtë shqiptarë, popullin e vet sa ç’ka vjedhur ajo. Dhe tani, urdhër-arrestet, urdhër-pezullimet hidhen në kosh.
Dhe unë ua them ju këtu, a do t’ia heqë apo jo, a do ta shkarkojë apo jo, ajo është një anë, por imunitetin nuk ia heq dot ai. Sepse në momentin që ulet në bankën e të akuzuarës, ajo thotë kam zbatuar çdo urdhër nga ky. Dhe i ka zbatuar. Nuk gënjen. Jo. Nuk gënjen se duhet të jemi të drejtë. Në Ankara nuk e ka marrë Belinda Ramën me vete, jo e ka marrë Rama Belindën me vete. Për t’i dhënë 50 milionë euro më shtrenjtë, për të ndarë 50 milionë euro.
Thumanë-Kashar, tuneli i Llogarasë, etj., etj. Paratë e tunelit të Llogarasë dhe këtu mbeten pa drita spitalet, mbeten pa ilaçet të sëmurët, mbeten rrugët copë-copë. Ajo është vetëm njëra nga ato afera të tjera shumë më të mëdha.
Ka ndodhur, aq sa mund t’ju them, që nga 67 miliardë euro që ka administruar kjo qeveri hajdute, në mënyrë absolute 90% minimumi, 90% i kanë vjedhur, shpërdoruar. I kanë vjedhur, shpërdoruar.
Mos harroni, për ndonjërin që i duket tepër kjo, e pyes ku është djegësi i Tiranës? 130 milionë. Merreni pak, tenderat e fituar nga baxhanaku i Ramës me emër tjetër.
Mirlinda e AKSHI-t. 60 milionë, pa asnjë blerje, pa asnjë shitje, pa asnjë shpenzim, vetëm rrogat e ndërmarrjes, 98% fitimi. 98% vjedhje. Merreni në çdo qelizë, në çdo aspekt. Prandaj dhe Rama nuk e lëshon Belindën. E dëgjuat vetë. Se Mirlinda, që është në fakt, në fakt shumë shpesh prestonome e Lindës së Surrelit, që del dhe i bën avokatinë tani dhe për studio, bashkëshortit hajdut në vend se t’i thotë mos vidh, qytetarët del bën avokatinë e saj në studio të ndryshme.
Pra, Mirlinda për të cilën thotë unë kam respektin maksimal. Dy pengmarrje, o miq. Dy pengmarrje. Dy biznesmenë, dy prokuratorë biznesmenë janë marrë peng se guxonin të paraqisnin oferta të cilat, tendra të cilat duhet t’i fitonte me çdo kusht baxhanaku dhe askush tjetër.
Nuk ka pse të ndalem gjatë sepse ju vetë jeni të vetëdijshëm në zinxhirin e pafund të krimeve që këta kanë kryer. Por tani ne jemi në një moment kritik. Në një moment kritik të ekzistencës sonë. Të përmbushjes së misionit tonë. Asgjë s’do përcaktojë më shumë fatin e Partisë Demokratike, fatin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar sesa përmbushja e misionit tonë. Përmbysja e këtij regjimi. Diktaturat nuk janë të lehta për t’u përmbysur. Janë shumë të vështira.
Por diktaturat autoritare, edhe totalitaret, përmbysen vetëm në një rrugë: me revoltë popullore. Ata të cilët besojnë se mund ta përmbysin diktaturën me votë, mashtrojnë veten e tyre. Më thjesht, të harrojmë çdo gjë. Gjithçka. Por të vijmë me datën, po marr zgjedhjet e fundit, të vijmë me datën 8 Maj të 2025-ës.
Narkodiktatori del dhe njofton se fala të gjitha gjobat dhe kamatat. A e dini ju sa ishin ato? Ato ishin 10 herë më shumë se ç’imagjinoja unë që kam qenë kryeministër. Jo më ju. Unë, nga ndrojtja se po ju mashtroj, thashë se këto ishin 200 milionë euro. Ato ishin 2 miliardë euro. Nga faturat që dolën më vonë. Ishin 2 miliardë euro. Ato vetëm ato, interesonin 200 mijë familje. Nuk ka zgjedhje me diktatorët. Kurrë. Urdhëroni, nuk po numëroj 10 faktorë të tjerë, po marr vetëm këtë.
Jo një populli me një elektorat 1 milion e 400 mijë apo 500 mijë, po edhe një popull me elektorat 3 apo 4 milion votues, 2 miliardë euro ia rrëzojnë zgjedhjet. Kurrë një kryeministër që beson në dinjitetin njerëzor, beson në lirinë, beson në votën, nuk mund të bëjë një akt të tillë.
Ju garantoj se Edi Rama është i gatshëm të bëjë siç bën çdo akt në mënyrë që të mbajë karrigen. Mund të rreshtoj një seri aktësh të tjera të tij antikushtetuese, antiligjore. Mobilizoi të gjitha kartelet e drogës dhe bandat kundra jush, kundër votës suaj.
Por ka një dallim të madh sot. Cili është dallimi? Ne ia dolëm ta gozhdojmë. Ia dolëm ta paraqesim para të gjithë botës siç është. Siç është: një armik i egër i votës së lirë. Siç është: një narkodiktator.
Siç është: një shkatërrimtar i kombit të tij. Shtatë rezoluta në një hark kohor 14 mujor pohojnë të gjitha këto. Dhe mbështesin ju, mbështesin ne, në të gjithë përpjekjen tonë. Kjo është arritje jo e vogël për ne. Është motivim. Ju keni qenë ndërësia”, tha ai.
Krytari i PD tha se diktaturat nuk rrezohen me votë por me revoltë duke ftuar të gjithë demokratët të bëhen pjesë e protestës që do të mbahet në 24 janar.
“Së dyti, ne u ngritëm dhe kësaj here s’është asnjë forcë tjetër politike ndofta kurrë, në një moment kur donin të na vinin kapistër apo të na vinin nën kontroll. Tani do ju them unë ju një gjë këtu.
Para 5 vitesh, ky mafiozi që quhet Don Agaçio, i thotë një mikut të vet: ‘Tani thotë, opozitën e kemi siç e duam ne’. Se i kishin hapur dy dosje atij ish-kryetarit tonë. Njërën për Toyota Yaris dhe tjetrën për atë financimet ruse që i thonin.
Dhe ato tani, në mëngjes e thërrisnin në prokurori, në darkë i shkonte Agaçi. Dhe në këtë mënyrë kishin në kontroll opozitën. Dhe tani i tha ai, tani e kemi opozitën që duam ne. Mirëpo, atë opozitë që deshën ata, ju nuk e deshët atë opozitë. Ju donit opozitë të vërtetë. Dhe ju me guximin tuaj, jashtë të gjitha parashikimeve, kundrejt presioneve më të jashtëzakonshme, shqiptare e ndërkombëtare, ju u ngritët dhe shpëtuat Partinë Demokratike.
Ju u ngritët, shpëtuat pluralizmin. Që të ishte i vërtetë dhe jo fals. Shpëtuat opozitën e vendit, që të ishte e vërtetë dhe jo false, jo kalbëse. Ndaj dhe kjo faktoi përsëri, faktoi përsëri se jeni të pamposhtur. E kam thënë dhe e them 100 herë, në qoftë se kjo parti do të kishte një emër të dytë e ‘E pamposhtur’, ky do ishte emri i saj.
Ndaj dhe, ose mund t’i themi që bën të pamundurën të mundur. Në të gjitha këto raste ne kemi bërë të pamundurën të mundur. Kujt ia priste mendja se ne do të ekzistonim si forcë reale politike në kohë kur na vërshonin nga të gjithë bota, në kohë kur na futën në izolimin më të thellë, dhjetë pash nën tokë, nga të gjitha anët.
Po ne u ngritëm se ishte e padrejtë. Si u ngritëm? Me dritën e të vërtetës. Ne mbrojtëm të vërtetën që besonim. Ne besonim se Shqipëria duhet të ketë opozitë. Pse po ndalem këtu? Jo për ndonjë arsye tjetër, po vetëm e vetëm për të vënë në dukje, për të theksuar misionin që kemi. Misioni ynë është të shporrim nga pushteti këtë regjim kriminal, këtë organizatë kriminale.
Të mos pajtohemi në asnjë mënyrë me të. Të qëndrojmë të betuar, të vazhdojmë përpjekjen tonë gjer në largimin e tyre. Ju garantoj se ecim të sigurt drejt fitores. Nuk ka asgjë më të fortë se idealet e njeriut. Nuk ka asgjë më të fuqishme se guximi i njerëzve idealistë. Se vendimi i tyre për t’u qëndruar besnikë idealeve të veta.
Kërkon sakrifica, kërkon lodhje, kërkon privacione, por fitorja është absolutisht e sigurt. Ndaj dhe ju ftoj, më 24, të bashkohemi të gjithë qytetarët e Tiranës, të gjithë qytetarët shqiptarë. Protesta e kaluar është protesta që ka patur jehonën më të madhe botërore. Ja u them unë këtu. Titujt kryesorë: ‘Shishet molotov në zyrën e Edi Ramës’. Këto ishin. Sepse po mbron Lubi Ballukun. Faji shkonte te Edi Rama, pra. Sepse po mbron Lubi Ballukun, po mbron korrupsionin. Miq, nuk rrëzohet një qeveri kur ajo vjen nga vota e lirë. Një qeveri që del nga vota e lirë rrëzohet me votën e lirë.
Po një qeveri që vjen nga zgjedhje farsë, nuk ka legjitimitet asnjë orë. Një qeveri që vjen nga vota e lirë, por që vjedh qytetarët dhe mbron korrupsionin, nuk ka asnjë orë legjitimitet. Duhet të zhduket nga zemërimi popullor. Edi Rama ka ardhur nga farsë elektorale. Edi Rama ka vjedhur qytetarët dhe po vjedh qytetarët. Duhet të jemi dy herë të motivuar për t’i dhënë fundin e merituar të çdo narkodiktatori.
Dhe e mbyll këtu duke i thënë edhe njëherë: Mos harro shkurtin! Mos harro Enver Hoxhën se si e pati fatin e tij rrugëve të Tiranës. Vërtet ishte bronz, po ishte dhjetë herë më i fuqishëm se ti në Shqipërinë e atëhershme. Kurse ty, shqiptarët do të japin atë që meriton. Më 24 të gjithë bashkë në betejën tonë”, theksoi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




