Berisha nga Durrësi: Qeveria braktisi 600 familje nën ujë, vodhi fondet dhe refuzoi të shpallë gjendjen e emergjencës
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se qeveria e kryeministrit Edi Rama braktisi 600 familje nën ujë dhe vodhi fondet e kanaleve.
Në foltoren e Partisë Demokratike në Durrës, Berisha tha se në 2 muajt e fundit ky qytet ka nxjerrë në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të pushtetit.
Ai vuri në dukje se qeveria e ka injoruar këtë qytet.
“Durrësi dy muajt e fundit ka nxjerrë në pah të gjithë shëmtinë, të gjithë fytyrën e shëmtuar të këtij pushteti dhe kësaj qeverie. Ne shqiptarët e kemi një fjalë të vërtetë: miku i mirë njihet në ditë të vështirë. Durrësi, këto muajt e fundit, qyteti i ri dhe i vjetër, rrethinat, kanë njohur përmbytjet pothuaj apokaliptike, të papara ndonjëherë.
Ka njohur më keq se kaq, injorimin e plotë nga pushteti dhe qeveria. Mashtrimin e plotë nga pushteti dhe qeveria. Cinizmin ekstrem nga pushteti dhe qeveria”, tha Berisha.
Duke u ndalur te përmbytjet, Berisha tha se Durrësi u përmbyt jo vetëm nga shirat por edhe nga korrupsioni qeveritar.
“Përmbytjet, natyrisht, të shkaktuara nga shirat, por po kaq, nga korrupsioni, nga vjedhja e fondeve të përcaktuara për pastrimin e kanaleve, për tërheqjen, evakuimin e ujrave nga hidrovorët dhe sistemi i kanalizimeve.
A ka njeri të ketë pësuar gjënë më të vogël, ta quajmë sabotim është pak, se të përmbysësh 600 familje, t’u fusësh ujin dhe t’i lësh ato me ditë të tëra, është një krim i shëmtuar i shumëlloj. A dha kush llogari për këtë që ndodhi? Askurrëkush!
Kush i vodhi paratë e kanaleve, 42 milionë për pastrimin?
Kush e spostoi hidrovorin në kundërshti me të gjitha kondicionet e hidrovoreve, nga aty ku ishte e ngriti 1.2 metër më lartë? Kush i vodhi pompat e hidrovorit të Hamallës? Që të gjitha pronësi shtetërore, të mbrojtura, të vjedhura nga vet shteti. Pra, ku jemi ne?”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se “ne kemi arritur në një stad, në një moment të paimagjinueshëm. Këta që qeverisin sot shqiptarët, ju garantoj se këta sillen si pushtuesit më të egër që shqiptarët kanë njohur ndonjëherë. Mund të ishte një pushtues këtu, por po të përmbyteshin 600 familje, do bënte planin e emergjencës dhe tek secili do bënte një ndihmë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



