Berisha: Shqipëria ngjan me një të sëmurë në urgjencë, ripërtëritja e PD është jetike

Politikë | 47 minuta më parë

Kreu lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një situatë kritike, duke e krahasuar vendin me një të sëmurë në sallën e urgjencës që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Sipas tij, ripërtëritja e Partisë Demokratike është jetike dhe përcaktuese për ripërtëritjen e Shqipërisë.

Duke folur nga Elbasani, Berisha theksoi se mbi 600 mijë pensionistë jetojnë me pensione të pjesshme, të cilat “absolutisht nuk mjaftojnë as për dy javë ushqime”, pa përmendur ndihmën e familjarëve.

Ai përmendi gjithashtu të dhëna të fundit, sipas të cilave rritja e një fëmije në vitin e parë kërkon 66% të rrogës, ndërsa qiratë kanë arritur nivelin e pagës mesatare, duke e bërë blerjen apo qiradhënien e apartamenteve të paarritshme për shumicën e qytetarëve.

“Të gjithë këta faktorë shtyjnë qytetarët tanë të ikin, të ikin, të ikin,” tha Berisha. Ai nënvizoi se Shqipëria është një vend me “pasuri përrallore të gjithanshme”, por këto pasuri “janë shndërruar në mallkim për qytetarin shqiptar” dhe “në parajsë për qeveritarë të pangopur dhe hajdutë”, të cilët, sipas tij, urrejnë qytetarin në mënyrë të ngjashme me ata që shtypën shqiptarët për 46 vite.

Berisha listoi probleme të rënda në shëndetësi dhe arsim, duke theksuar se “sirenat e nevojës për rithemelimin e Shqipërisë bien në të katër anët e vendit”.

Duke iu drejtuar anëtarëve dhe mbështetësve të opozitës, ai vlerësoi qëndresën e tyre: “Keni meritë të jashtëzakonshme, sepse në kushtet më të vështira i qëndruat opozitarë… I qëndruat të pamposhtur pavarësisht nga dhuna, terrori, burgosjet, shantazhet dhe presionet.” Sipas tij, pa këtë qëndresë, “ky regjim nuk ishte i shpërbërë në të sotmen”.B

Berisha theksoi se fitorja e opozitës është një “domosdoshmëri” për të përfunduar “kilometrin e fundit drejt fitores”. “Demokratët, populli opozitar pret fitoren. Shqipëria pret me padurim fitoren e opozitës. Dhe kjo është përgjegjësi e madhe ndaj vendit,” përfundoi ai.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme