Berisha: Shqiptarët na votojnë vetëm nëse ripërtërihemi dhe paraqesim një vizion të ri

Politikë | 46 minuta më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita duhet të hyjë në një proces të thellë ripërtëritjeje dhe modernizimi për të fituar besimin e sovranit.

Gjatë fjalës së tij para mbështetësve në Fier, Berisha theksoi se arritjet historike të së kaluarës nuk mjaftojnë më dhe se PD duhet të përpunojë një program të ri politik që u përgjigjet drejtpërdrejt halleve dhe interesave më jetike të qytetarëve shqiptarë.

Sipas liderit të opozitës, qytetarët nuk do ta votojnë Partinë Demokratike vetëm për shkak të meritave të saj në të kaluarën, si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, sjellja e projektit TAP, ndërtimi i infrastrukturës apo përmbysja e diktaturës komuniste. Ai nënvizoi se besimi politik fitohet përmes transformimit të brendshëm dhe empatisë ndaj problemeve ditore të njerëzve.

“Shqiptarët do të na votojnë ne vetëm kur të arrijmë të ripërtërihemi vetë. Vetëm kur të paraqitemi para tyre si një forcë politike që ndjen, përjeton dhe angazhohet me një vizion për t’u dhënë përgjigjen më urgjente e më të fuqishme problemeve me të cilat përballet çdo qytetar,” deklaroi Berisha.

Në fjalën e tij, Berisha bëri një skanim të situatës sociale dhe ekonomike në vend, duke akuzuar pushtetin se i ka kthyer qytetarët në thjesht statistika dhe numra. Ai lëshoi alarm për boshatisjen e vendit dhe nivelin e krimit.

“Sirenat e mjerimit, shkretimit dhe boshatisjes bien sot në të katër anët e vendit. Ligjin dhe të drejtën kushtetuese e ka marrë në dorë krimi. Varfëria e qytetarëve trajtohet si paaftësi e tyre. Ne po rrokullisemi si asnjëherë në histori,” u shpreh ai.

Për të ndryshuar këtë trajektore, kryetari i PD-së kërkoi nga demokratët mobilizim të plotë, rivitalizim të seksioneve dhe hapje të partisë ndaj vlerave të shoqërisë. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e një “dialogu pa mure” me të gjitha shtresat shoqërore dhe modernizimin e kapilarëve organizativë të partisë për t’u kthyer në një alternativë fituese.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme