Berisha thirrje për front opozitar: Protesta e radhës, para datës 20 shkurt

Politikë | 9 muaj më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat këtë të martë, ka paralajmëruar se protesta e radhës do të zhvillohet para datës 20 shkurt, duke e cilësuar si një moment vendimtar për opozitën dhe qytetarët.

 Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen në këtë lëvizje, ndërsa theksoi se është koha për një front të gjerë opozitar.

Ai deklaroi se në tryezën e ardhshme politike do të ftohen pa përjashtim të gjitha partitë opozitare, duke theksuar se është koha për të krijuar një front të gjerë opozitar.

Berisha nënvizoi se forcat politike duhet të marrin përsipër shkallën më të lartë të përgjegjësisë dhe të qëndrojnë në lartësinë e kërkesës së kësaj kohe, duke bashkërenduar përpjekjet për t’i dhënë goditjen përfundimtare narko-regjimit të Edi Ramës.

“Do ftojmë të gjitha partitë. Është koha të krijojmë një front të gjerë opozitës që forcat opozitare politike të qëndrojnë në lartësinë e kërkesës së kësaj kohe dhe t’i japin goditjen e fundit narko-regjimit. Data e radhës do të përcaktohet, por ka shumë mundësi që të mbahet para datës 20 shkurt. Konsultimet nisin sot. Ne nuk heqim dorë, strategjia jonë është protesta”, u shpreh Berisha.

Ai e krahasoi situatën në vend me atë të Venezuelës, duke thënë se Shqipëria është kthyer në një “Venezuelë tipike” dhe se kryeministri Rama duhet të japë dorëheqjen përpara se të përballet me të njëjtin fat si Nicolas Maduro.

Në fund të deklaratës, Berisha akuzoi ministren Belinda Balluku për bllokimin e proceseve gjyqësore dhe manipulimin e dokumenteve, duke e cilësuar si pjesë të një makinerie të abuzimeve financiare.

“Balluku dhe Edi Rama kanë mobilizuar grupe të tëra me të cilat shkatërrojnë, falsifikojnë, manipulojnë dokumente si në dikasteret dhe agjencitë në varësi të Lubisë, ashtu dhe në AKSHI-n e familjes Rama”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme