Binjakët prematurë i shpëtojnë verbimit falë ndërhyrjes, mjekët e QSUT dhe maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” aplikojnë injeksionin intravetrial
Këto janë Solei dhe Luna, motrat binjake që erdhën në jetë para kohe, vetëm 28 javësh, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Kontrolli pas lindjes tregoi se vajzat rrezikonin verbërinë për shkak se sytë ishin prekur nga retinopatia e prematuritetit. Për ta shmangur, duhej ndërhyrë brenda javës 6 ose 7 të jetës, ndaj në këto momente mjekët e retinës të ardhur nga QSUT e të mbështetur nga shërbimi i neonatologjisë po aplikojnë injeksionin intravetrial tek sytë e të voglave.
Nëna e binjakeve është në ankth por shpresëplotë ndërsa mjekja Alketa Tandili përlotet kur mendon mrekullinë që po bën ky injeksion i futur së fundmi në spitalet tona.
“Ndej që vajzat do t’ua hedhin edhe kësaj situate, ashtu sikurse ja hodhën deri më tani. Aty bëjnë sot 4 javë që unë i kam pranë edhe pse vij dy herë në ditë që i shikoj“, u shpreh Edlira Carungu, nëna e binjakeve.
“Më shumë se sa dëgjuesi i thjeshtë, ne na kuptojnë vetëm ata prindër të cilëve u janë verbuar fëmijët. Kështu që ky është një hov i ri në këtë shërbim. Është një shpresë më shumë që ne të mos kemi fëmijë të verbër, një verbëri të pakthyeshme“, tha Oftamologe pediatre, QSUT, Alketa Tandili.
“Jam shumë e lumtur që po realizohet në këtë maternitet, në këto kushte dhe në këtë spital që unë e kam ëndërr sepse jam mes mjekëve më të mirë dhe të përkushtuar ditë e natë“, theksoi nëna e foshnjave.
Dr. Tandili tregon se çdo muaj 2 fëmijë të lindur prematurë rrezikojnë këtë sëmundshmëri ndaj ndërhyrja është jetike.
“Zakonisht këto ndodhin tek fëmijët që kanë lindje të vështira para kohe , që zhvillojnë sepsis, që janë nën 32 javë dhe është detyra jonë t’i depistojmë dhe të vlerësojmë kush nga këto po zhvillon sëmundshmëri dhe rekomandojmë injeksionin intravetrial. Ne në këto momente bëjmë injeksioni e urgjencës. Duke qenë se janë në inkubator, duke qenë i pamundur transporti në qendra të specializuara okulistike, ky është një injektim që parandalon verbimin e pakthyeshëm”, tha mjekja.
Injeksionet kaluan me sukses. Bebat janë sot të qeta ndërsa doktoreshat që janë përkujdesur për to deri sot të lumtura që po ja dalin ti mbushin krahët e nënës plot kur të dalë nga spitali
“Mezi pres të marrin peshë e ti marr në krah për ti çuar në shtëpi ku na presin të gjithë“, shtoi nëna e binjakeve.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





