Bisedimet e paqes zhvendosen në Oslo, Zelensky takohet me emisarët e Trump-it mes presionit për lëshime territorial

Botë | 33 minuta më parë

Kryeqyteti norvegjez është kthyer në qendrën e përpjekjeve të reja diplomatike për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Presidenti Volodymyr Zelensky ka zbarkuar në Oslo për të zhvilluar një seri takimesh të nivelit të lartë me emisarët amerikanë dhe udhëheqësit nordikë, në një kohë kur presioni ndërkombëtar mbi Kievin për të pranuar një marrëveshje paqeje po vjen në rritje.

I shoqëruar nga ekipi i tij, kreu i shtetit ukrainas konfirmoi zhvillimin e bisedimeve dypalëshe dhe shumpalëshe me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Støre dhe presidentin finlandez Alexander Stubb, ndërsa këshilltari i presidentit amerikan Trump, Jared Kushner, u lidh nga distanca.

“Ne po mbajmë të gjitha kontaktet që mund të ndihmojnë në arritjen e paqes. Do të diskutojmë gjithashtu forcimin e mbrojtjes sonë ajrore dhe prodhimin e përbashkët”, deklaroi Zelensky, i cili gjatë vizitës u prit edhe në audiencë nga Mbreti Haakon VIII i Norvegjisë dhe zhvilloi takime në parlamentin vendor (Storting).

Rreth përmbajtjes së bisedimeve, mediat ndërkombëtare, përfshirë New York Times, raportojnë se Uashingtoni po përpiqet të bindë Kievin të pranojë lëshime territoriale në Donbas në këmbim të paketave të mbështetjes ekonomike. Megjithatë, për të zbutur shqetësimet e udhëheqjes ukrainase, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i përcolli Zelenskyt në një telefonatë 45-minutëshe garancitë se SHBA nuk synon të dëmtojë pozicionin e Ukrainës. Pas Oslos, emisari Witkoff pritet të udhëtojë drejt Moskës për t’i paraqitur Presidentit Vladimir Putin idetë e hartuara në bashkëpunim me partnerët evropianë.

Kjo linjë e re negociuese ka nxitur reagime të menjëhershme në Bruksel dhe Berlin. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, gjatë fjalës së saj në Parlamentin Evropian, theksoi se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë një kapitullim sipas kushteve të Moskës, duke nëvizuar se “duhet të jemi jashtëzakonisht të qartë se kemi edhe kërkesa ndaj Moskës dhe nuk do të japim asgjë falas, sepse qëllimi është një paqe e qëndrueshme dhe e drejtë”. Të njëjtin shqetësim e ngriti edhe Kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili paralajmëroi se “Evropa po e nënvlerëson kërcënimin nga Rusia” dhe se synimet e Putinit shkojnë përtej territorit të Ukrainës, duke synuar destabilizimin e të gjithë kontinentit.

Nga ana e saj, Moska zyrtare ka mbajtur një qëndrim të rezervuar. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u shpreh se për Rusinë është kryesore që “një përfaqësues legjitim i qeverisë ukrainase” të udhëheqë bisedimet dhe të jetë “i gatshëm të marrë përgjegjësinë dhe të marrë vendimet e nevojshme për t’i dhënë fund kësaj lufte”.

Pavarësisht Lëvizjeve diplomatike në prapaskenë, situata në terren mbetet kritike. Ushtria ruse ka vijuar sulmet intensive me dronë dhe raketa mbi nyjet logjistike, terminalet portuale në Odesa dhe zona të banuara. Nga goditjet e fundit në rajonin e Kievit dhe Zaporizhzhia janë regjistruar të paktën katër viktima dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa janë dëmtuar rëndë magazina prodhimi, qendra transporti dhe anije mallrash në portin e Renit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme