Bllokimi i aksit Librazhd–Prrenjas, ARRSH: Do ndërtojmë një rruge të re alternative, prishim urën ekzistuese dhe devijojmë lumin Shkumbin

Aktualitet | 8 muaj më parë

Drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, bëri të ditur se strukturat kanë qenë në terren për garantimin e sigurisë në aksin Librazhd–Prrenjas, pas një rrëshqitjeje dherash që preku trupin e rrugës.

Në një konferencë për mediat, Kozeli sqaroi të gjithë situatën, ku ngjarja ndodhi të enjten, duke detyruar autoritetet të vendosin kufizimin e lëvizjes me një korsi dhe të urdhërojnë kryerjen e sondazheve gjeologjike për të përcaktuar thellësinë e rrëshqitjes. Reshjet e dendura të shiut në vijim e përkeqësuan situatën, duke shkaktuar një zhvendosje prej rreth 30 centimetrash në njërin krah të urës, çka çoi në bllokimin e qarkullimit dhe nisjen e ndërtimit të një rruge provizore.

Nga analizat e kryera në terren rezulton se shkaku kryesor i situatës janë reshjet intensive dhe të zgjatura në kohë, si dhe erozioni i lumit Lumi Shkumbin.

“Të enjten pati një rrëshqitje dherash, e cila preku trupin e rrugës ekzistuese. U vendos kufizimi i lëvizjes me një korsi dhe u urdhëruan sondazhe gjeologjike për të përcaktuar thellësinë e rrëshqitjes. Reshjet e dendura të shiut në orët në vijim e rënduan situatën, duke shkaktuar një zhvendosje prej rreth 30 centimetrash në njërin krah të urës. Për pasojë, u bllokua qarkullimi dhe nisi ndërtimi i një rruge provizore kalimi. Pas analizave të kryera në terren, rezultoi se shkaku kryesor i situatës janë reshjet intensive dhe të zgjatura në kohë, si edhe erozioni lumor”, tha ai.

ARRSH tha se u vendos ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës, në shtratin e lumit Shkumbin, u vendos prishja e urës ekzistuese dhe devijimi i rrjedhës së lumit që godet trupin e hekurudhës, me qëllim mbrojtjen e saj dhe shmangien e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës.

“Ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës, në shtratin e lumit Lumi Shkumbin, për të mundësuar lëvizjen e plotë të trafikut deri në stabilizimin e plotë të rrëshqitjes së tokës. Prishja e urës ekzistuese, tashmë jashtë funksionit, dhe lehtësimi i ngarkesës në trupin e pjesës së rrëshqitur deri në krijimin e një skarpate natyrale që do të mundësojë ndërhyrjen me mjete shpimi.

Sistemimi i ujërave sipërfaqësore në të gjithë zonën e rrëshqitjes, si dhe devijimi i lumit që godet trupin e hekurudhës, për të garantuar mbrojtjen e saj dhe për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës”, tha ai.

Aksi kryesor që lidh Librazhd me Pogradec u bllokua prej të shtunës si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave në zonën e Dragostunjë, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit dhe shqetësim për drejtuesit e mjeteve.

Situata u shkaktua nga një erozion aktiv në këtë zonë, ku rrëshqitja ishte shumë intensive, duke përfshirë nga bazamenti i lumit deri në sipërfaqe.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme