Bllokimi i aksit Librazhd-Prrenjas, kreu i Doganave, Beja: Strukturat në terren, lëvizjet përmes pikave të Bllatës dhe Kakavijës
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, doli sot në një konferencë për mediat së bashku me përfaqësues të institucioneve të rrugëve, për të sqaruar situatën e krijuar pas shembjes së rrugës Librazhd–Prrenjas.
Drejtori i Doganave, Besmir Beja, bëri me dije se deri në përmirësimin e situatës është vendosur përdorimi i zyrave doganore në Bllatë për mallrat që hyjnë nga Maqedonia e Veriut dhe Kakavija për ato që hyjnë nga Greqia.
Beja theksoi se Dogana ka reaguar menjëherë për të garantuar vijimësinë e qarkullimit të mallrave dhe kryerjen e formaliteteve doganore:
“Që në momentin e krijimit të situatës, strukturat doganore kanë trajtuar me prioritet shqetësimin e bizneseve dhe pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve. Për të shmangur pengesat në procedurat doganore, janë orientuar alternativa të reja lëvizjeje përmes pikave kufitare Bllatë dhe Kakavijë,” – deklaroi Beja.
Sipas tij, janë ndërmarrë masa për përforcimin e kapaciteteve logjistike dhe shtimin e personelit në degët kufitare Bllatë dhe Kakavijë, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar dhe përshpejtimin e procedurave, deri në normalizimin e situatës rrugore.
“Në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet homologe të Maqedonisë së Veriut është siguruar mirëkuptim i plotë për lehtësimin e qarkullimit. Pala maqedonase do të mundësojë kalimin e kamionëve dhe trajlerave të ngarkuar nga ora 12:00–22:00, kalimin 24 orë të mjeteve pa ngarkesë, si dhe kalimin e produkteve agro që kërkojnë certifikim,” – sqaroi drejtori i Doganave.
Dogana shqiptare vijon kontaktet edhe me palën kosovare për të mundësuar lehtësime të mëtejshme në hyrje-daljet e mjeteve dhe mallrave.
Sa i përket mallrave që kanë hyrë tashmë në territorin doganor shqiptar përmes Qafë-Thanës dhe ndodhen në aksin e bllokuar apo në ambientet doganore, Beja shpjegoi se është ofruar një zgjidhje teknike:
“Operatorët duhet të depozitojnë deklaratën doganore T1 në degën doganore Qafë-Thanë, me destinacion Bllatën (Dibër), si dhe të hartojnë një dokument transporti (CMR) për itinerarin e ri. Ky regjim lejon tranzitimin e mallrave nga një pikë doganore në një tjetër, përmes një territori jashtë territorit doganor shqiptar.”
Beja tha se Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është e vetëdijshme për kostot shtesë që kjo situatë sjell për operatorët ekonomikë, por shtoi se, ka angazhuar të
gjitha strukturat për të minimizuar pasojat dhe për të garantuar funksionimin sa më normal të aktivitetit tregtar.
“Dogana do të vijojë të informojë në kohë reale publikun dhe komunitetin e biznesit për çdo zhvillim apo lehtësi të re,” – përfundoi Beja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




