Bojkoti i avokatëve, Kuvendi i kërkon KLGJ-së zgjidhjen

Aktualitet | 1 orë më parë

Bojkoti i avokatëve në shenjë kundërshtie ndaj rregullores së GJKKO-së, që u ndalon mbajtjen e celularëve gjatë seancave gjyqësore, ishte në fokus të diskutimeve në Komisionin për Nismat Qytetare, ku raportoi kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi.

Kreu i komisionit, Fatmir Xhafaj, i kërkoi KLGJ-së të marrë një rol proaktiv për zgjidhjen e ngërçit, duke theksuar se pasojat e konfliktit mes gjykatës dhe avokatëve rëndojnë mbi qytetarët dhe funksionimin e drejtësisë.

“Pa dyshim, ne themi: zgjidheni. Na intereson ngërçi i krijuar dhe efektet e tij në kohëzgjatjen e zgjedhjeve të backlog-ut, procesin e rregullt ligjor dhe në eficencën e sistemit. Kjo na shqetëson. Zgjidhjen nuk mund t’ia japim ne. Ndërhyrja jonë, pastaj, ju e dini si është. Ajo mund të çojë në masa shumë ekstreme për Këshillin, sipas mendimit tim.”

Nga ana e tij, Ilir Rusi mbajti qëndrimin se rregullorja është në kompetencën e Gjykatës së Posaçme dhe se palët që e kundërshtojnë duhet t’i drejtohen rrugëve ligjore.

“Përgjigja e Këshillit Lart Gjyqësor është që ai është kompetencë e Këshillit të Gjykatës dhe nëse keni kundërshtime mund t’i adresoheni gjykatës përkatëse.

Ndërhyrjen e Kuvendit për të nxitur dialogun e kërkoi edhe deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cila paralajmëroi se konflikti nuk mund të vazhdojë pa afat.

“ Do duhet të ndërmerrnin veprime të menjëhershme në këtë situatë, sepse pasiviteti I institucioneve të reja të drejtësisë, pasiviteti i Kuvendit nga ana tjetër padyshim që i jep frymë dhe karburant kaosit në sistemin e drejtësisë.”

Ndërkohë, rregullorja e GJKKO-së është kundërshtuar edhe nga mediat për kufizimet që, sipas tyre, cenojnë lirinë e informimit. Çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Në përfundim, Xhafaj përsëriti se, përpara se të ndërhyjë Kuvendi, duhet të jetë KLGJ-ja ajo që merr iniciativën për dialog dhe për një zgjidhje institucionale të ngërçit.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme