Bordi i Tumoreve në QSUT, asnjë pacient me kancer nuk hyn në kirurgji pa vendimmarrjen e tij
Prej më shumë se një viti, në QSUT funksionon një strukturë e posaçme që quhet Bordi i Tumoreve ku pacientët me kancer trajtohen sipas vendimeve mjekësore që merr ky bord.
Kjo do të thotë se rastet e pacientëve me kancer nuk vlerësohen më nga një mjek i vetëm, por nga një ekip i tërë specialistësh të fushave të ndryshme si onkologë, kirurgë, radiologë, anatomo-patologë të cilët analizojnë në detaje diagnozën dhe përcaktojnë trajtimin më të saktë.
“Prej një viti tre klinikat e kirurgjisë së QSUT kanë krijuar një strukturë të e veçantë që quhet Bordi i Tumoreve. Çdo të premte ne atje rrahim mendimet dhe diskutojmë mbi pacientët që do të operojmë së bashku me onkologët dhe stafin. Nuk ndodh që pacienti të vijë I diagnostikuar dhe të kalojë menjëherë në sallë përpos rasteve urgjente. Rasti diskutohet aty, rrihen mendimet, përcaktohen rrugët e trajtimit si do të bëhet , do të fillojë ose kimioterapi, radioterapi apo do të trajtohet fillimit me kirurgji”, tha Enton Bollano, Kirurg digjestiv në QSUT.
Kjo lloj strukture bën një diferencë të madhe në rrugëtimin terapeutik të një pacienti pasi vendimmarrja është me saktë dhe sigurtë, trajtimi i tumorit bëhet i personalizuar sipas karakteristikave, koordinimi mes shërbimeve përcaktohet që në fillim.
“Strukturë e domosdoshme për suksesin e trajtimit të pacientit kirurgji me sëmundje malinje të kolonit dhe shumë efikase. Çdo rast me kancer kalon dhe diskutohet aty, deri tek teknika operatore dhe ndjekja pos operatore që do të ndiqet pas operacionit. Pra pacienti hyn në një linjë që të çon drejt një trajtimi të shpejtë, të mirë dhe të suksesshëm”, theksoi Bollano.
Bordi i Tumoreve është një procedurë standarte në qendrat më të avancuara shëndetësore ndërkombëtare dhe i siguron pacientit më pak vonesa, më shumë besim dhe efikasitet.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




