Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Kanadaja dënojnë projektin e Izraelit për vendbanime në Bregun Perëndimor

Botë | 2 muaj më parë

Planet e Izraelit për hapjen e tenderëve për ndërtimin e rreth 1,200 shtëpive në zonën strategjike E1 të Bregut Perëndimor të pushtuar kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia dhe Kanadaja e kanë cilësuar vendimin si “të papranueshëm”, duke i bërë thirrje Izraelit të tërheqë menjëherë planet.

Sipas deklaratës së përbashkët, ndërtimi në këtë zonë rrezikon të dëmtojë më tej perspektivat për një zgjidhje me dy shtete. E1 ndodhet në lindje të Jerusalemit dhe zhvillimi i saj mund të krijojë një ndarje territoriale të Bregut Perëndimor, duke izoluar Jerusalemin Lindor. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e ka cilësuar planin E1 si një “kërcënim ekzistencial” për krijimin e një shteti të pavarur palestinez. Të njëjtin shqetësim ka shprehur edhe ministri i Jashtëm i Belgjikës.

Të mërkurën, Ministria izraelite e Strehimit publikoi një tender për 1,234 njësi banimi, nga 3,401 njësi të miratuara nga qeveria izraelite gushtin e kaluar. Projekti shtrihet në rreth 12 kilometra katrorë mes Jerusalemit Lindor dhe vendbanimit Maale Adumim. Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, një figurë e njohur ultranacionaliste dhe kolon, kishte deklaruar më herët se përmes këtij projekti ideja e krijimit të një shteti palestinez po “fshihej”.

Afati për dorëzimin e ofertave është 19 tetor, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael, të planifikuara për 27 tetor. Kjo ka ngritur shqetësime se çdo qeveri e ardhshme mund ta ketë të vështirë të përmbysë procesin e tenderimit. Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, ku jetojnë rreth 700 mijë kolonë hebrenj. Territoret janë të pretenduara nga palestinezët si pjesë e shtetit të ardhshëm, së bashku me Rripin e Gazës.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë aleatë të Izraelit, i konsideron vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, ndërsa qeveritë e njëpasnjëshme izraelite kanë vazhduar zgjerimin e tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme