Buckingham Palace: Princit Andrew i hiqet titulli “Princ” dhe do të largohet nga rezidenca në Windsor

Botë | 12 muaj më parë

Princit Andrew do t’i hiqet titulli “princ” dhe do të largohet nga rezidenca e tij në Windsor, Royal Lodge

Buckingham Palace ka konfirmuar se Madhëria e Tij, Mbreti Charles III, ka nisur një proces formal për t’i hequr Princit Andrew titujt dhe nderimet mbretërore. Si pasojë, ai nuk do të njihet më si “Princ Andrew”, por me emrin Andrew Mountbatten-Windsor.

Në deklaratë thuhet se Andrew do të largohet nga rezidenca e tij në Royal Lodge, Windsor, ku kishte jetuar prej shumë vitesh. Ai do të zhvendoset në një banesë më të vogël private në Sandringham Estate, e cila do të financohet nga Mbreti Charles.

“Këto masa konsiderohen të nevojshme, pavarësisht faktit që Andrew vazhdon të mohojë akuzat kundër tij. Madhëritë e Tyre dëshirojnë të bëjnë të qartë se mendimet dhe simpatitë e tyre më të thella janë dhe do të mbeten me viktimat dhe të mbijetuarit e çdo forme abuzimi”, thuhet në deklaratën e Buckingham Palace.

Vendimi vjen pas presionit të shtuar publik dhe mediatik ndaj Familjes Mbretërore për shkak të lidhjeve të Princit Andrew me Jeffrey Epstein, i cili u dënua për trafik seksual.

Ndërkohë, familja e Virginia Giuffre,  gruas që akuzoi Andrew se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të kur ishte adoleshente, ka deklaruar se ajo “rrëzoi një princ britanik me të vërtetën dhe guximin e saj të jashtëzakonshëm”. Giuffre, e cila kishte ngritur padi kundër Andrew-t, u vetëvra në fillim të këtij viti.

Princi Andrew vazhdon të mohojë të gjitha akuzat dhe pretendon se është i pafajshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme