Ceremoni mortore me nderime shtetërore për Mlladiç, Marta Kos anulon vizitën në Beograd

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka anuluar vizitën e planifikuar në Serbi, pas ceremonive dhe nderimeve që pasuan vdekjen e ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid. Vendimi i Kos vjen pasi një avion i qeverisë serbe transportoi trupin e Mlladiçit drejt Beogradit, ku pritet të zhvillohet një funeral me pjesëmarrje të gjerë.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, komisionerja evropiane kritikoi mënyrën se si është trajtuar vdekja e Mlladiçit, duke e konsideruar të papajtueshme me vlerat evropiane.
“Lëvdimi që rrethon vdekjen e tij është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat është ndërtuar rruga drejt BE-së. Kjo rrugë kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të vërtetë dhe respektim të viktimave të krimeve të luftës”, shkroi Kos.
Ajo shtoi se vlerat që mbështesin të ardhmen e përbashkët evropiane “nuk janë të negociueshme” dhe, në këtë kontekst, vendosi të mos e zhvillojë vizitën e planifikuar në Serbi në këtë moment. Ish-komandanti Mlladiç, u dënua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë konfliktit të viteve 1992-1995.
Mlladiç ndërroi jetë një javë më parë në moshën 84-vjeçare, ndërsa mbahej në një qendër paraburgimi të Kombeve të Bashkuara në Hagë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



