Debati në Gjykatën Administrative për statusin e Ols Dados, mbrojtja e Veliajt: S’ka mbaruar Magjistraturën. A është prokuror? Seanca shtyhet më 8 maj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga efektivët e Burgjeve, u paraqit këtë të premte, 3 prill, në Gjykatën Administrative për seancën kundër prokurorit të SPAK, Ols Dado, duke kërkuar pavlefshmërinë e emërimit të tij si prokuror në vitin 2008.
Në padinë e dorëzuar, Veliaj pretendon se emërimi i Dados nga noter në prokuror është kryer në kundërshtim me ligjin, pasi në momentin e dekretimit nga presidenti i kohës, Bamir Topi, ai nuk kishte kryer Shkollën e Magjistraturës dhe nuk plotësonte kriteret e tjera ligjore.
Nga ana tjetër, pala mbrojtëse e Dados kërkoi mospranimin e padisë, duke argumentuar se ajo nuk ndikon në ndjekjen penale, pasi në çështje është i përfshirë edhe një prokuror tjetër, Altin Dumani. Seanca u shty dhe do të zhvillohet më 8 maj, ora 14:00.
“Një nga kriteret është të ketë mbaruar Shkollën e Magjistraturës, që ai nuk e ka pasur. Ndërkohë, për emërimet thuhet të ketë punuar tre vite si pedagog ose si këshilltar ligjor pranë institucioneve të larta, apo si oficer i policisë gjyqësore. Asnjë nga këto profesione nuk është ushtruar nga Ols Dado. A është Ols Dado prokuror apo jo, këtë duam të dimë”, tha avokati i Veliajt, Plarent Ndreca.
Gjyqtari Hazbi Balliu: Pra KLP ka dal me një akt a e keni kundërshtuar këtë akt?
Ndreca: Është akt absolutisht i pavlefshëm. Në kërkojmë konstatimin e pavlefshmërisë.
Gjyqtari Balliu: Pse i jeni drejtuar më parë KLP?
Ndreca: KLP rregullon pasojat e një mandati. Mund ta konstatonte mendojmë ne. Por ata nuk e konstatuan. Kjo nuk na heq të drejtën për bërë këtë kërkesë në Gjykatë.
Ndërkohë, përfaqësuesja ligjore e Presidencës mbrojti ligjshmërinë e procedurës së emërimit të Dados, duke theksuar se procesi ishte iniciuar nga Prokurorja e Përgjithshme e kohës, Ina Rama, dhe u finalizua me dekretin e Presidentit Bamir Topi. Ajo tha se vlerësimi përfundimtar i takon Gjykatës.
“Në vitin 2008 janë ushtruar kompetence ligjore nga Bamir Topi në atë kohe. Avokati përmend nenet, por duhet të shkojmë në ligjin e plotë. Dhe procesi në atë kohë u iniciua nga Prokurori i Përgjithshëm. Pra në kemi propozim të ardhur nga Prokurori i Përgjithshëm dhe shkresa. Sepse nuk sqarohet që ky është proces që vjen nga Prokurori i Përgjithshëm. Pra duhet te ishte ezauruar kjo më pas dekreti i Presidentit. Ne do e lëmë në vlerësim të gjykatës. Pra nuk arrijmë të shprehemi. Dhe kemi vetëm dy dokumente. Nuk mendojmë që akti është i pavlefshëm. Këtë qëndrim kemi ne ndërsa e lëmë në dore të Gjykatës. Nuk është Presidenti me vlerësimin sepse procedurat i kryen KLP”, tha përfaqësuesja ligjore e Presidencës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




