Debati virtual gjatë udhëtimit për në Budva, Rama përballet me argumentet e një studenti protestues

Politikë | 54 minuta më parë

Gjatë udhëtimit të tij me makinë drejt Budvës për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar dhe publikuar një debat virtual me një student protestues. Përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, kreu i ekzekutivit i është përgjigjur pyetjeve direkte mbi përplasjet e fundit mes protestuesve dhe policisë, akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë, si dhe pretendimet për mospërmbushje të premtimeve ndaj studentëve.

Kreu i qeverisë e nisi komunikimin duke deklaruar se kërkon “dialog me këdo që beson se unë jam i keq, po ama dhuna është një armik i lirisë së të gjithëve”, ndërsa mbrojti ndërhyrjen e forcave të rendit gjatë protestave.

Perceptimi mbi dhunën policore dhe bilanci i të lënduarve

Në përgjigje të akuzave të studentit për përdorim të gazit lotsjellës, ujit dhe plumbave të gome ndaj të rinjve, Rama deklaroi se reagimi i policisë erdhi pas goditjeve me gurë, zjarr, saçme e llastiqe primitivë nga ana e protestuesve.

Duke u ndalur te shifrat e të lënduarve, Kryeministri theksoi se bilanci spitalor tregon një dinamikë ndryshe nga ajo e paraqitur në rrjetet sociale.

“Kur policët e plagosur janë më shumë se dyfishi i protestuesve të plagosur, ndryshe nga të gjitha vendet ku ka ndodhur dhe ndodh këto ditë diçka e ngjashme, çdo pretendim për dhunë nga policia mbi studentët është djallëzor.”, tha Rama.

Pasi studenti akuzoi qeverinë për përdorim të forcës ndaj të miturve, Rama e cilësoi këtë narrative si produkt të medias dhe platformave digjitale, duke pretenduar se “policët e lënduar janë dy herë e gjysmë më shumë sesa protestuesit dhe kalimtarët e marrë së bashku”, ndërsa studentët e vërtetë përbëjnë një pakicë mes të lënduarve.

Zotimet e 2018-ës, “Flamingot” dhe akuza për arrogancë

Debati u ndal edhe te Pakti për Universitetin i vitit 2018 dhe reagimi i qeverisë ndaj lëvizjeve studentore. Ndërsa studenti pretendonte se faturat e premtimeve nuk janë shlyer dhe se dialogu kërkohet vetëm tani, Rama iu referua qëndrimeve të tij publike të qershorit 2026 dhe platformës flamingomirror.al, e krijuar sipas tij si rezultat i reflektimit ndaj protestuesve.

Përballë akuzës së studentit se qeveria po tregon arrogancë dhe po fyen inteligjencën e të rinjve, Kryeministri u përgjigj:

“Arrogancë është të thuash ‘populli nuk është ai që të votoi ty, po jemi ne poshtë dritares tënde dhe do marrim peng Tiranën po nuk e braktise detyrën, pavarësisht se ke kontratë me shumicën e popullit shqiptar’.”

Akuzat ndaj zyrtarëve të lartë dhe përgjegjësi politike

Gjatë shkëmbimit të argumenteve, studenti rreshtoi emrat e disa ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve të lartë—përfshirë Belinda Ballukun, Arben Ahmetajn dhe Erion Veliajn—si dhe përmendi shifrat e largimit të 420,000 shqiptarëve që nga viti 2011, si dhe dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Lidhur me qëndrimin e qeverisë ndaj kërkesave të SPAK-ut për heqjen e imunitetit apo arrestimin e zyrtarëve, Rama mohoi mbrojtjen e pushtetarëve nga drejtësia, duke deklaruar se vendimet e parlamentit mbrojtën parimin e procesit të rregullt.

“Unë nuk mbroj askënd nga drejtësia, përkundrazi. Por në atë rast ne mbrojtëm drejtësinë nga njëanshmëria. Dhe koha na dha të drejtë, sepse refuzimi ynë për të pranuar duke ngritur kartonat e parlamentit një tjetër arrest pa gjyq nuk e pengoi aspak SPAK-un që t’i thellonte hetimet.”, tha Rama.

Sa i përket përgjegjësisë politike për emërimet në kabinet gjatë 13 viteve të qeverisjes, Rama pranoi se mes dhjetëra ministrave ka patur edhe zgjedhje të gabuara. Megjithatë, ai nënvizoi se përgjegjësia e tij politike konsiston në garantimin që ekzekutivi nuk bën avokatin e asnjë zyrtari të marrë nën akuzë nga organet e drejtësisë.

Në përmbyllje të bisedës, Kryeministri i bëri thirrje studentit dhe të rinjve të distancohen nga aktet e dhunës dhe të zgjedhin rrugën e dialogut drejtpërdrejt.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme