Delegacioni i BE-së reagon pas tensioneve në Tiranë: Shqetësim për aktet e dhunës, rrezikuan jetë njerëzish

Politikë | 8 muaj më parë

Tensionet e fundit dhe aktet e dhunës gjatë protestës së PD-së në kryeqytet kanë sjellë reagimin zyrtar të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Përmes një deklarate publike, përfaqësia evropiane ka theksuar rëndësinë e tubimeve paqësore, duke dënuar njëkohësisht çdo formë të dhunës që cenon sigurinë e qytetarëve dhe sundimin e ligjit.

Delegacioni e cilëson protestën e qetë si një “shtyllë themelore të çdo shoqërie demokratike”, por thekson prerazi se kjo e drejtë duhet të ushtrohet me përgjegjshmëri të plotë.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian thekson se e drejta për tubim paqësor është një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike. Ajo duhet të ushtrohet me përgjegjësi, në respekt të plotë të sundimit të ligjit dhe të sigurisë së të gjithë individëve.”, thuhet në deklaratë.

Përfaqësia evropiane thekson se aktet e fundit të dhunës në Tiranë janë të papranueshme, duke nënvizuar me shqetësim se veprime të tilla “rrezikuan jetë njerëzish”.

“Në këtë kontekst, Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim për aktet e fundit të dhunës në Tiranë, të cilat rrezikuan jetë njerëzish.”, vijon deklarata.

Përmes deklaratës, apelohet drejtpërdrejt tek aktorët politikë shqiptarë që të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje në këtë situatë.

BE rikonfirmon mbështetjen për një “angazhim konstruktiv” mes palëve, i cili i shërben reformave kyçe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes evropiane.

“Delegacioni i BE-së u bën thirrje aktorëve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje. Ne mbështesim angazhimin konstruktiv në funksion të reformave të rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.”, mbyllet deklarata e Delegacionit të BE-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme