Delvinë, 1 mijë qytetarë të vaksinuar kundër gripit. Apeli mjekut: Personat me sëmundje kronike duhet ta kryejnë patjetër

Shëndet | 9 muaj më parë

Në Qendrën Shëndetësore të Bashkisë së Delvinës, e cila mbulon të gjithë banorët e qytetit, vijon ende procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal, si pjesë e masave parandaluese për këtë periudhë të vitit.

Sipas mjekut të familjes Trim Birbili, deri më tani janë kryer rreth 1000 vaksina, ndërsa kërkesat më të larta kanë ardhur nga personat me sëmundje kronike dhe nga moshat e treta, të cilat konsiderohen edhe grupet më të rrezikuara.

“Shumë qytetarë, moshat e mëdha dhe ato me sëmundje kronike janë paraqitur vetë për të kryer vaksinimin. Deri tani kemi aplikuar 1 mijë vaksina kundër gripit”, tha mjeku.

Bluzat e bardha  theksojnë se vaksina kundër gripit sezonal është shumë e domosdoshme, pasi ndihmon në përballimin më të lehtë të virozave të stinës dhe në shmangien e komplikacioneve shëndetësore, duke u bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen në kohë.

“Vaksina është e domosdoshme për të sëmurët kronik, pasi në virozë mund të nxjerrë jashtë kontrollit duke sjellë më pas probleme të tjera”, tha ai.

Stafi mjekësor i Qendrës Shëndetësore të Delvinës vijon të këshillojë qytetarët, veçanërisht grupet e riskut, që të kryejnë vaksinimin kundër gripit sezonal, si një mënyrë e sigurt për të mbrojtur shëndetin dhe për të kaluar më lehtë periudhën e virozave të dimrit.

Gazetare B.Pëllumbi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme