“Dënojmë çdo akt dhune ndaj policëve”, Avokati i Popullit: Kushte të papranueshme në Bllokun e Sigurisë, të ndaluar me shenja dhune

Aktualitet | 37 minuta më parë

Avokati i Popullit, Endrit Shabani  ka publikuar gjetjet paraprake të monitorimit të kryer gjatë katër ditëve të protestave në vend, duke evidentuar shqetësime që lidhen me kushtet e ndalimit, trajtimin e të miturve dhe pretendimet për përdorim të dhunës ndaj personave të privuar nga liria.

Në një deklaratë për mediat, Shabani bëri të ditur se ekipet e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës kanë monitoruar situatën në komisariatet nr. 1 deri në nr. 6 në Tiranë, në Bllokun e Sigurisë, në Spitalin e Traumës, si dhe në komisariatet e Korçës, Vlorës dhe Shkodrës.

Sipas Avokatit të Popullit, gjatë 72 orëve të fundit janë kontaktuar 214 persona të privuar nga liria, ndërsa janë zhvilluar intervista konfidenciale me të arrestuar, të shoqëruar, persona të lënduar, mjekë dhe psikologë.

“Në 72 orët e fundit kemi kontaktuar 214 persona të privuar nga liria. Kemi biseduar konfidencialisht me të shoqëruar, të arrestuar, të lënduar, me mjekë dhe psikologë”, u bë e ditur në deklaratë.

Shabani njoftoi gjithashtu se vetëm në datat 14 dhe 15 tetor, në Spitalin e Traumës kanë marrë shërbim 128 persona, prej të cilëve 86 punonjës policie, 38 protestues dhe 5 të mitur.

Avokati i Popullit dënoi të gjitha format e dhunës që kanë shoqëruar protestat e ditëve të fundit.

“Dënojmë dhunën ndaj policëve. Dënojmë dhunën ndaj protestuesve. Dënojmë dëmtimin e pronës publike dhe të pronës private, përfshirë bizneset”, thuhet në deklaratë.

Një nga shqetësimet e ngritura gjatë monitorimit, u shpreh Shabani, lidhet me ankesat për punonjës policie të veshur civilë, të cilët, sipas pretendimeve, kanë vepruar pa shenja identifikuese.

“Gjatë këtyre ditëve kemi marrë ankesa për punonjës policie me veshje civile pa shenja identifikuese. Kjo çështje do të shqyrtohet me prioritet”, deklaroi Avokati i Popullit.

Sipas tij, ankesa të tjera lidhen me pretendime për ushtrim dhune gjatë shoqërimit, mungesë të kujdesit mjekësor dhe tejkalim të afateve procedurale për masat e sigurisë.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar trajtimit të të miturve gjatë protestave. Avokati i Popullit bëri me dije se po verifikohen dëshmi për rreth 12 të mitur që dyshohet të jenë mbajtur të izoluar në ambientet e një ministrie.

“Po verifikojmë dëshmi për rreth 12 të mitur që janë mbajtur të izoluar në ambientet e një ministrie. Ky rast po verifikohet dhe do t’ju raportojmë gjetjet e hetimit tonë”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, gjatë inspektimeve janë konstatuar raste kur të mitur të ndaluar janë marrë në pyetje pa praninë e prindërve, kujdestarëve apo psikologut, çka sipas institucionit nuk përputhet me standardet ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.

Në raportin paraprak evidentohen edhe probleme serioze në kushtet e mbajtjes së të arrestuarve.

Sipas Avokatit të Popullit, në të gjitha komisariatet e monitoruara ambientet rezultonin mbi kapacitet, ndërsa situata paraqitej më problematike në Bllokun e Sigurisë.

“Kushtet në Bllokun e Sigurisë janë të papranueshme. Kemi gjetur të arrestuar që flenë dy vetë në një shtrat, ose mbi sfungjerë në dysheme. Mungojnë batanijet dhe ngrohja. Uji i pijshëm sigurohej nga familjarët. Mungojnë sapuni dhe letra higjienike”, deklaroi institucioni.

Gjithashtu, u evidentuan persona me shenja të dukshme dhune, ndërsa për 26 të arrestuar pretendimet dhe konstatimet përkatëse janë pasqyruar në procesverbalet zyrtare.

Në përfundim, Avokati i Popullit i kërkoi Policisë së Shtetit identifikim të plotë të efektivëve gjatë çdo operacioni, si dhe respektimin e procedurave për të miturit. Ndërkohë, Ministrisë së Brendshme iu bë thirrje për përmirësimin e menjëhershëm të kushteve në Bllokun e Sigurisë, duke garantuar ujë, ushqim, higjienë, shtretër dhe shërbim mjekësor të vazhdueshëm.

Institucioni njoftoi se monitorimi i situatës do të vijojë edhe në ditët në vijim dhe se çdo qytetar që pretendon se ka pësuar dhunë apo shkelje të të drejtave mund t’i drejtohet Avokatit të Popullit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme