Depistimi për HPV në Korçë, rreth 600 kite janë shpërndarë në qendrat shëndetësore
Për të shtatin vit radhazi, depistimi falas për HPV po vijon në qendrat shëndetësore të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Korçë, si një nga nismat më të rëndësishme për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.
Shefja e kujdesit shëndetësor parësor, Nada Tërpo, bën të ditur se deri tani janë kryer gjithsej 3.365 depistime, nga të cilat 185 kanë rezultuar pozitive. Për këtë vit janë shpërndarë rreth 600 teste në qendrat shëndetësore.
“Ky proces ka nisur që në vitin 2019. Grupmosha që preket çdo vit dhe së cilës i ofrohet ky test ka qenë një grupmoshë e caktuar. Këtë vit kemi grupmoshën e datëlindjes 1975 deri në 1985, pra, 40 deri në 50 vjeç,” thotë znj. Tërpo.
Sipas saj, ky është një program i rëndësishëm, pasi HPV (Human Papilloma Virus) është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës dhe zbulimi i hershëm bën të mundur marrjen e masave të menjëhershme mjekësore.
“Gratë të cilat dalin pozitive ndiqen nga mjeku i familjes, rekomandohet tek gjinekologu dhe ka një ndjekje periodike për të parë ndryshimet që mund të ndodhin në qafën e mitrës,” shprehet znj. Tërpo.
Nisma pritet të vijojë gjatë gjithë vitit me synim rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjen e sa më shumë grave në procesin e depistimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




