Depistimi që shpëton jetë. Janari, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e qafës së mitrës
Janari është muaji i ndërgjegjësimit për Kancerin e Qafës së Mitrës, një sëmundje që mund të parandalohet në masë të madhe përmes depistimit të rregullt.
Gjatë vitit 2025, në qarkun e Korçës janë kryer rreth 600 depistime, nga të cilat 29 kanë rezultuar pozitive, duke mundësuar ndërhyrje dhe ndjekje të hershme mjekësore. Interesi i grave për kryerjen e testit ka qenë i lartë, duke treguar rritje të ndërgjegjësimit për rëndësinë e parandalimit.
Burime në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Korçë bëjnë me dije se një risi e rëndësishme është zgjerimi i programit kombëtar të depistimit, i cili duke nisur nga viti 2026 do të përfshijë një fashë më të gjerë moshe, duke filluar nga gratë 35 vjeç e lart.
Ky vendim synon rritjen e mbulimit të popullatës, parandalimin afatgjatë të sëmundjes dhe uljen e rasteve të reja të kancerit të qafës së mitrës. Edhe pse në Korçë, interesi ka qenë i lartë, pasi që prej 7 vitesh që ofrohet shërbimi, janë tërhequr një numër i konsiderueshëm kitesh depistimi, ka ende gra që nuk e kanë kryer këtë test.
“Është shumë mirë të kryhet kjo vizitë, por për neglizhencë nuk e kemi bërë. Mjekët na kanë thënë që ta bëjmë”
“Nuk e kam bërë asnjëherë dhe tani do e bëj. Të dy motrat e mia e kanë bërë”, thanë disa nga zonjat.
Parandalimi, informimi dhe depistimi i rregullt mbeten mjetet më të sigurta për mbrojtjen e shëndetit të grave dhe për luftën kundër kancerit të qafës së mitrës ndaj autoritetet shëndetësore u bëjnë apel të gjitha grave që të kontaktojnë mjekun e familjes për të përfituar falas nga ky shërbim parandalues.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




