Depistimi shpëton jetë/38 raste të reja me kancer gjiri në Korçë, mjekët apelojnë për kontrolle të rregullta

Shëndet | 30 minuta më parë

Rritja e ndërgjegjësimit për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit mbetet një nga sfidat kryesore në luftën kundër kësaj sëmundjeje. Në Korçë, vetëm gjatë këtij viti janë diagnostikuar 38 raste të reja, ndërsa mjekët apelojnë për kontrolle të rregullta dhe mosneglizhimin e shenjave të para.

“Rastet shtohen nga viti në vit, edhe për shkak të ndërgjegjësimit, pasi njerëzit e kanë kuptuar tashmë se depistimi i kancerit të gjirit është shumë i rëndësishëm. Po aq i rëndësishëm është edhe kujdesi për veten, sepse jo çdo gjë mund të lihet për më vonë”, u shpreh Jusilda Dervishi, onkologe.

Rastet e diagnostikuara paraqiten në stade të ndryshme të sëmundjes, ndërsa te moshat më të mëdha vërehen më shpesh raste në stade më të avancuara.

“Te moshat e vjetra hasim raste në stade më të avancuara”, tha ajo.

Frika nga përgjigjja e ekzaminimeve është një nga arsyet që i bën gratë të shtyjnë kontrollet, duke rrezikuar zbulimin e vonshëm të sëmundjes.

“Te moshat e reja, mendoj se është frika, sepse nuk duan të pranojnë që kanë diçka në trupin e tyre që, normalisht, nuk duhet të ishte aty”, tha mjekja.

Me rastin e 21 tetorit, Ditës Kombëtare të Depistimit për Kancerin e Gjirit, apeli i specialistëve është për kontrolle periodike, të paktën një herë në vit, si dhe kryerjen e ekografisë apo mamografisë kur rekomandohen nga mjeku. Zbulimi i hershëm rrit mundësitë për trajtim të suksesshëm dhe mbetet një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të grave.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme