Derbi Partizani-Tirana, policia bllokon disa rrugë në kryeqytet, ja itineraret e tifozëve

Aktualitet | 33 minuta më parë

Policia e Tiranës ka marrë një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë derbit mes Partizanit dhe KF Tiranës, që do të luhet sot në orën 18:30 në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Në kuadër të masave të sigurisë, disa segmente rrugore në kryeqytet do të bllokohen nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit sportiv.

Sipas njoftimit të Policisë, rrugët dhe zonat ku do të kufizohet qarkullimi janë sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Lekë Dukagjini”, rruga “Dervish Hima” dhe hapësirat përreth stadiumit.

Itineraret që do të ndjekin tifozët

Policia ka përcaktuar edhe rrugët përmes të cilave do të lëvizin tifozeritë drejt stadiumit.

Tifozët e Partizanit do të nisen nga zona e Inxhinierisë, në rrugën “21 Dhjetori”, do të vijojnë te “Libri Universitar”, përgjatë zonës pranë Presidencës, në rrugën “Gjergj Filipi” dhe te “Coin”, për të mbërritur në tribunën N.

Ndërsa tifozët e KF Tiranës do të nisen nga sheshi “Skënderbej”, do të kalojnë te ish-Hotel “Dajti”, Ura e Dajtit, zona e ETC-së dhe rruga e Elbasanit. Më pas, itinerari vijon në rrugën “Dervish Hima”, drejt rrugës “Sheh Ahmet Pazari” dhe zonës “Ambasador 3”, për të mbërritur te hyrjet V-S.

Sipas Policisë, lëvizja e tifozëve do të monitorohet përgjatë gjithë itinerareve të përcaktuara, ndërsa nuk do të lejohen grumbullime apo lëvizje jashtë tyre.

Kontrolle të rrepta në hyrje të stadiumit

Në kuadër të masave të sigurisë, do të kryhen kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve përpara hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të kundërligjshme.

Nuk do të lejohet futja e sendeve të forta, bidonëve të ujit, çadrave, çelësave metalikë, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të ndaluara.

Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Gjithashtu, fëmijët nën moshën 16 vjeç nuk do të lejohen të hyjnë në stadium pa praninë e prindit ose kujdestarit ligjor, edhe në rastet kur disponojnë biletë. Shoqëruesi duhet të ketë me vete dokument identifikimi.

Policia bën me dije se në stadium nuk do të lejohen as tifozët që janë identifikuar më parë si problematikë gjatë aktiviteteve të ndryshme sportive.

Në përfundim, Policia e Tiranës u ka bërë thirrje tifozerive të respektojnë masat e përcaktuara, ndërsa qytetarëve u kërkon të shmangin lëvizjen me automjete në segmentet e bllokuara gjatë orareve të njoftuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme