Dështon konferenca ndërqeveritare Bruksel – Shkup, Kovaçevski akuzon VMRO-DPMNE

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski akuzoi partinë opozitare VMRO-DPMNE, për mosplotësimin e objektivit të qeverisë së tij për hapjen e kapitujve të radhës në bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Evropian dhe për mungesën e konferencës ndërqeveritare me BE-në.
Duke folur nga Brukseli në një konferencë shtypi, Kovaçevski tha se partitë anti-NATO, anti-BE dhe pro-ruse në vendin e tij bllokuan rrugën e integrimit. “Si qeveri, punojmë fort që ta realizojmë qëllimin strategjik për anëtarësim në BE deri në vitin 2030. Por, u konfirmua se frenuesi i vetëm i shtetit është koalicioni anti-BE, anti-NATO dhe prorus, ai i VMRO-DPMNE-së dhe partisë E Majta”- tha ai.
Ndërkohë, VMRO-ja i quajti “fushatë të errët” komentet e kryeministrit dhe të Partisë Lidhja Social Demokrate. “Ky pushtet i LSDM-së dhe BDI-së është zhytyr në kriminalitet dhe ata janë thelbi i të gjitha problemeve”, u tha gazetarëve Marija Mitevska, zëdhënëse e VMRO-së. Bashkimi Europian kishte rikonfirmuar edhe një ditë më parë vendimin se pa ndryshimet kushtetuese, nuk do të mbahej konferenca e dytë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut.
Gazetar Artur Mata
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




