Dhimbja, simptoma më pak e trajtuar në mjekësi. Prof.Vaso: Shërbimi shëndetësore duhet të pajisen me njohuritë e duhura

Shëndet | 7 muaj më parë

Dhimbja është simptoma më urgjente që çon çdo të sëmurë drejt mjekut por ekzaminimi i saj bëhet kompleks nëse nuk e njeh. 

Mjeku anestezist-reanimator, Apostol Vaso përmes një studimi ka sjellë në konferencën ndërkombëtare të dhimbjes mekanizmat se si krijohet dhimbja neuropatike e gjymtyrës fantazmë, ose gjymtyrës që mungon në trup kur ajo hiqet, studim që ka marrë vëmendje ndërkombëtare.

“Nëse deri më sot ne konsiderojmë vetëm trurin si themelin e burimit të mekanizmave të dhimbjes, në punimin tonë kemi gjetur një vend që akuzohet sot si një nga burimet kryesore të dhimbjes neuropatike”, tha mjeku Vaso.

Dhimbja tek të sëmurët tumorale në fazë terminale zë përqindje shumë të lartë. Trajtimi i saj kërkon shërbim shëndetësore të konsoliduara.

“Ne shohim se incidenca e dhimbjes është në 70-75% të sëmurëve të kësaj popullate”, tha mjeku paliativ Ali Xhixha.

Fatkeqësisht njohuritë për trajtimin e dhimbjes janë në nivele minimale në vendin tonë e po kështu edhe trajtimi nuk është i përshtatshëm.

“Sot në sistemin shëndetësor nuk është implementuar ende trajtimi i dhimbjes si një problem më vete. Në fakt krijon një problem të madh në buxhetin e familjarëve dhe të shtetit, se sot ka një nivel shumë të ulët të njohurisë për dhimbjen nga sistemi shëndetësor dhe nëse nuk dimë ta trajtojmë atë, rrjedhimisht nuk i japim dot zgjidhje ankesës” , tha mjeku Vaso.

Në një konferencë ndërkombëtare për dhimbjen që po mbahet në Tiranë mjekë dhe profesionistë të trajtimit të dhimbjes nga vendi dhe bota sollën zhvillimet më të fundit në mjekësinë e dhimbjes, neuroshkencë biomekanikë dhe posturë si dhe qasjet ndërdisiplinore për trajtimin e saj.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme