“Dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhja”, Presidenti Begaj thirrje për dialog: Të mos lejojmë që tensionet të cenojnë stabilitetin e vendit

Aktualitet | 58 minuta më parë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas protestave dhe akteve të dhunës të ditëve të fundit, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe aktorëve të përfshirë të zgjedhin dialogun dhe maturinë.

Në një nje video mesazh, kreu i shtetit theksoi se zëri i çdo qytetari, veçanërisht i të rinjve, duhet të dëgjohet, por nënvizoi se dhuna nuk mund të jetë rruga për zgjidhjen e problemeve.

Begaj apeloi për ruajtjen e qetësisë, respektimin e rendit kushtetues dhe angazhimin e të gjitha palëve në një proces dialogu në interes të rinisë dhe të Shqipërisë.

Të dashur qytetarë,

Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve.

Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit.

Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta verë dhe nuk e vë askush në diskutim.

Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon  bashkëjetesën demokratike.

Në këto momente, vendi ynë ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Ka nevojë që dallimet të mos na përçajnë, por të na nxisin të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë zgjidhje në interes të qytetarëve dhe të Shqipërisë.

U bëj thirrje të gjithëve të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit. Inkurajoj forcat e rendit në detyrën e tyre tejet delikate dhe uroj shërim të shpejtë për çdo të lënduar, polic apo protestues.

Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi  sikurse i bëj thirrje  aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, në të mirë të rinisë, në të mirë të Shqipërisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme