Dhunë disproporcionale ndaj protestuesve? Rama: Rreth 200 policë të plagosur, 80 protestues të lënduar. Kjo është luftë hibride

Politikë | 51 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar pretendimet për përdorim të forcës disproporcionale nga policia ndaj protestuesve, duke deklaruar se numri i efektivëve të plagosur gjatë tubimeve është më i lartë se ai i protestuesve. Sipas shifrave të bëra publike prej tij, rreth 200 efektivë policie kanë marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërsa numri i protestuesve të lënduar është rreth 80. Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te pretendimet se policia po ushtron dhunë ndaj protestuesve, duke argumentuar se të dhënat për të lënduarit, sipas tij, tregojnë një tjetër panoramë të situatës.

“Ka një fakt shumë të thjeshtë, elementar: aty ku përdoret forca disproporcionale, raporti mes të lënduarve në anën e protestuesve dhe atyre në anën e policisë, natyrisht që është një raport i zhdrejtë, ku qartësisht ka më shumë protestues të lënduar se policë të lënduar”, deklaroi kryeministri. Më tej, ai bëri të ditur shifrat që, sipas tij, pasqyrojnë situatën e krijuar gjatë protestave.

“Sot që flasim, se kam shifrën konkrete të fundit, por jemi deri afër 200 efektivë policie të lënduar, të plagosur, që kanë shkuar dhe kanë marrë ndihmë në spital, dhe jemi diku te 80 të lënduar nga ana e protestuesve, ndër të cilët më pak se gjysma janë studentë. Të tjerët janë të rinj, por aspak studentë, aspak nxënës. Të rinj që i përkasin grupit të zjarrit”, u shpreh Rama.

Gjatë deklaratës së tij, Rama pretendoi se protestat po shfrytëzohen nga aktorë të ndryshëm për të nxitur destabilitet në vend, duke përmendur edhe ndikimin e mundshëm nga jashtë.

“Ky është sulm që zhvillohet në një perimetër të mirëorkestruar, që ushqehet me benzinë si zjarr i brendshëm nga aktorë të huaj, gjë që tanimë po bëhet çështje e madhe në gjithë Europën dhe ku ju projektohet qytetarëve një realitet i kombinuar, hibrid. Është një luftë hibride, e cila natyrisht funksionon deri në këtë masë, sepse bazohet në shqetësime reale”, deklaroi Rama.

Kryeministri pranoi se pakënaqësitë e qytetarëve për kostot e jetesës dhe strehimin janë reale, por argumentoi se ato po përdoren për qëllime të tjera.

“Janë reale shqetësimet për kostot e jetesës, për të nesërmen e sigurt në raport me strehimin, me mundësitë për të pasur më shumë, etj.”, tha Rama.

Kryeministri akuzoi gjithashtu një pjesë të mediave se, sipas tij, po i paraqesin protestat në funksion të interesave politike dhe ekonomike, duke e zhvendosur vëmendjen nga shqetësimet për arsimin.

“Më keq se agresioni i gurëve është agresioni i mediave, të rreshtuara në front për interesa krejt të tjera, jo për arsim më të mirë. Interesa të lidhura me paranë, me politikën, me pushtetin, në kuptimin e nevojës ulëritëse për të përdorur këtë shqetësim social dhe për ta kthyer në zjarr dhe valë gurësh për të rrëzuar qeverinë dhe për të ndryshuar pushtetin me imponimin e dhunës, që s’ka për të ndodhur asnjëherë, për asnjë arsye”, deklaroi Rama.

Sipas tij, pasqyrimi i protestave në këtë mënyrë ndikon edhe në perceptimin e qytetarëve për situatën në vend. “Por rëndon në mënyrë dramatike në psikologjinë e qytetarëve, krijon idenë se këtu po digjet e gjithë Shqipëria”, u shpreh kryeministri.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme