Dhunoi nxënësit, shkarkohet mësuesja në Kamëz- Kumbaro: Hetimi vazhdon edhe për gjithë zinxhirin e drejtimit në shkollë

Aktualitet | 8 muaj më parë

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka bërë të ditur se mësuesja e cila dhunoi nxënësit në një shkollë në Kamëz është shkarkuar nga detyra.

Në një mesazh adresuar mësuesve dhe prindërve, Kumbaro thekson se pas daljes në publik të pamjeve të dhunës së mësueses ndaj nxënësve, është ngritur një grup i posaçëm ku janë marrë masat e duhura ligjore.

“Pas tronditjes që kemi pësuar të gjithë nga pamjet e lidhura me një episod shumë të dënueshëm në një nga shkollat e bashkisë Kamëz ku një person në xhaketën e mësuesit ka ushtruar dhunë mbi fëmijët e klasës së saj dua të njoftoj të gjithë mësuesit dhe prindërit që Ministria e Arsimit dhe drejtoria Arsimore e qarkut të Tiranës ka ndërhyrë menjëherë që mbrëmë në darkë duke ngritur grupin e posaçëm dhe që në orët e para të mëngjesit janë marrë masat e nevojshme për shkarkimin e personit në fjalë por edhe me hapa të tjerë ligjorë siç është njoftimi i policisë për një rast të tillë si dhe njësisë së mbrojtjes së fëmijëve”, u shpreh Kumbaro.

Ajo vuri në dukje se përveç shkarkimit të mësueses po vijon hetimi administrativ për zinxhirin drejtimit të shkollës.

“Ndërkohë hetimi administrativ vazhdon pranë institucionit arsimor në fjalë me të gjithë zinxhirin komandues por edhe me një analizë të thelluar jo thjesht për të marrë masa ndaj një personi që nuk e meriton aspak emrin “mësues”. Por edhe për të kuptuar se cilat janë boshllëqet në zinxhirin e drejtimit dhe në rolin e psikologëve dhe drejtuesve të shkollës”, tha Kumbaro.

Ndërkaq, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur më tej se “lidhur me trajtimin e sjelljeve të dhunshme të mësuesve ndaj nxënësve, janë njoftuar Policia e Shtetit për ndjekjen e procedurave përkatëse si dhe Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve për të vlerësuar çdo indikator të mundshëm të një situate risku për fëmijët. Ky proces synon të garantojë transparencë të plotë dhe reagim të menjëhershëm institucional ndaj çdo situate që lidhet me sigurinë, mirëqenien dhe të drejtat e fëmijëve në institucionet arsimore”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme