Diamanti i rrallë rozë ekspozohet në Francë, 100 vjet pas grabitjes së bujshme

Kuriozitete | 47 minuta më parë

Një diamant i rrallë rozë, me peshë nëntë karatësh, është rikthyer në ekspozitë në Francë, gati 100 vjet pas grabitjes së tij në një nga kështjellat historike të vendit. I njohur si “Grand Condé”, guri i çmuar po ekspozohet në Muzeun Condé, në Château de Chantilly, deri më 3 janar.

Diamanti në formë dardhe u vodh gjatë një grabitjeje natën e tetorit 1926. “Grand Condé” konsiderohet një prej bizhuterive mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez. Origjina e tij e saktë mbetet ende e paqartë, ndërsa përmendja e parë e dokumentuar daton në vitin 1740, në një inventar të Princit të Condé.

Më pas, diamanti kaloi në koleksionin e Mbretëreshës Marie-Amélie dhe më vonë në pronësi të djalit të saj, Princit Henri të Orléans, Dukës së Aumale. Ky i fundit ia la gurin Institutit të Francës, së bashku me koleksionin e pasur të artit dhe dorëshkrimeve që sot ruhen në Château de Chantilly.

Ekspozita përfshin gjithashtu dokumente arkivore të publikuara për herë të parë dhe rezultatet e studimeve shkencore mbi karakteristikat unike të diamantit, të cilat ndihmojnë në identifikimin e tij.

Diamantet rozë natyrale janë jashtëzakonisht të rralla dhe mund të arrijnë vlera prej dhjetëra milionë dollarësh. Rekordi për një diamant rozë të shitur në ankand u vendos në vitin 2017, kur një gur i tillë u shit për 71.2 milionë dollarë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme