Diplomati dhe kampioni i bodybuilding-ut, Marin Meksi, merr titullin “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”

Sport | 3 orë më parë

Këshilli Bashkiak i Qytetit të Gjirokastrës i ka akorduar z. Marin Meksi titullin “Qytetar Nderi i Gjirokastrës” për merita të veçanta në promovimin e sportit dhe jetës së shëndetshme në komunitet, duke e sjellë sportin më pranë shoqërisë civile dhe rinisë së “qytetit të gurtë”.

Në vitin 2021, Marin Meksi shpallet Kampion Kombëtar, Mbarëkombëtar dhe Kampion Botëror në Bodybuilding dhe Fitness, ku më pas bëhet edhe zyrtar i lartë i Federatës Botërore IFBB, duke sjellë në Shqipëri kompeticione ndërkombëtare në sportin e Bodybuilding & Fitness, Mundjes së Krahut, Powerlifting dhe Strongestman, si mundësi të mëdha për sportistët e sporteve të forcës në vendin tonë.

Për kontributin e tij në sport dhe shoqërinë civile, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i akordon z. Meksi titullin “Mjeshtër i Madh i Sportit”! Gjithashtu, edhe Komisioni i Gradave të Nderit i Ministrisë së Mbrojtjes i akordon gradën ushtarake të “Kolonelit” të Forcave të Armatosura. Të shumta kanë qenë edhe vlerësimet nga Bashkia Tiranë, me “Mirënjohja e Kryeqytetit”, “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë”, “Urdhri i Skënderbeut të Artë” nga DMPP, si dhe nderime nga shumë institucione të tjera të vendit dhe qeveri të huaja, ku përmendim atë të Republikës së Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Portugalisë, Spanjës, Turqisë, Zvicrës etj.

Arkiduka Habsburg i Austrisë dhe Princi i Hungarisë i akordoi Urdhrin e “Trimërisë”, si urdhri më i lartë ushtarak dhe civil.

Z. Meksi u shpreh i emocionuar për këtë nderim në qytetin e të parëve të tij, ku familja gjirokastrite blazoniere “Meksi” ka dhënë kontribut të shquar që prej luftërave për liri të Gjergj Kastriotit, deri në pjesëmarrjen si delegatë të Aktit të Pavarësisë, Luftës së Vlorës, Luftës së L.A.N.Ç., me disa Dëshmorë të Atdheut etj.! Anëtarë të familjes “Meksi” ishin filantropë, patriotë e veprimtarë të çështjes çame dhe asaj të Kosovës, si dhe kontribuues në ngritjen e institucioneve të para në vend, hartimin e ligjeve dhe themeleve të jurisprudencës, sjelljen në shqip të Dhjatës së Re nga Vangjel Meksi në vitin 1827, i njohur edhe për “Alfabetin e Meksit”, e shumë kontribute të tjera në politikë, diplomaci, shkencë, mjekësi, folklor e art, brenda dhe jashtë vendit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme