Diplomimi 2026 në “Fan S. Noli”, studentët përmbyllin rrugëtimin akademik dhe nisin një etapë të re profesionale

Arsim | 41 minuta më parë

Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë ka zhvilluar ceremoninë e diplomimit për vitin akademik 2025-2026, ku 742 studentë përmbyllën studimet e tyre.

Në këtë ditë të veçantë u vlerësuan edhe arritjet e studentëve me rezultate të lart, 10 prej tyre morën certifikatën “Student i Shkëlqyer”, ndërsa rreth 160 studentë me mesatare mbi 8 shënuan emrat në Librin e Nderit të universitetit.

Rektori vlerësoi përkushtimin e studentëve gjatë viteve të studimit, duke theksuar rëndësinë e arsimit të lartë në formimin e profesionistëve të rinj dhe kontributin e tyre në zhvillimin e shoqërisë.

“Sot, ne të gjithë së bashku festojmë një arritje të rëndësishme: diplomimin e një brezi studentësh në Universitetin “Fan S. Noli”. Sot nuk festojmë vetëm përfundimin e studimeve, por edhe një rrugëtim që ka nisur disa vite më parë me një vendim, një ëndërr, një zgjedhje profesioni dhe shpresën se arsimi universitar do t’i jepte secilit prej jush një derë të re drejt së ardhmes”, u shpreh Prof. Dr. Lorenc Ekonomi, Rektor i Universitetit “Fan S. Noli”.

Për studentët, marrja e diplomës shënon përmbylljen e një etape të rëndësishme dhe nisjen e sfidave të reja. Ata ndajnë emocionet e kësaj dite, duke vlerësuar përvojën universitare dhe duke shprehur synimet për të ardhmen.

“Kanë qenë katër vite të lodhshme, duke përfshirë tre vite të ciklit bachelor dhe një vit master profesional. Isha shumë e nderuar që u diplomova si studente e shkëlqyer pranë Fakultetit të Infermierisë”, u shpreh Enxhi Misliu, studente.

“Ndihem krenare për veten time sepse vlerësohem për herë të dytë si studente e shkëlqyer dhe mbaroj ciklin e dytë të studimeve master shkencor në financë”, tha studentja Silvia Goci.

Ceremonia mblodhi studentët e diplomuar, pedagogët dhe familjarët, duke shënuar një moment të rëndësishëm për të rinjtë që nisin një etapë të re në jetën profesionale.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme