Dita Botërore e Zemrës, parandalimi nis me kontrollet periodike të këtij organi jetik

Shëndet | 37 minuta më parë

29 Shtatori shënon Ditën Botërore të Zemrës, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për sëmundjet kardiovaskulare dhe rëndësinë e parandalimit. Mjekja kardiologe Luljeta Allaraj shpjegon se faktorët që ndikojnë në shëndetin e zemrës janë të shumtë, ndërsa disa shenja kërkojnë vëmendje dhe vlerësim mjekësor.

“Kemi disa faktorë për sa i përket sëmundjeve që ndikojnë te sëmundjet e zemrës. Kemi faktorë që mund t’i ndalojmë dhe t’i parandalojmë. Faktorët që mund t’i ndalojmë janë duhani, alkooli, kontrolli i tensionit dhe kontrolli i diabetit. Kohët e fundit kemi një jetë sedentare, prandaj rekomandojmë edhe aktivitetin fizik”, u shpreh Luljeta Allaraj, Kardiologe dhe hemodinamiste.

Përveç trajtimit të faktorëve të rrezikut, një rol të rëndësishëm ka edhe kujdesi i përditshëm dhe kontrolli i gjendjes së zemrës.

“Për personat që janë me sëmundje kardiake, kontrollet përcaktohen nga mjekët që i ndjekin. Ndërsa për persona të tjerë, të paktën një herë në vit duhet patjetër të bëjnë një kontroll, një vizitë, duke filluar nga shiriti i zemrës, që është elektrokardiograma, dhe më pas duke vazhduar me EKO-n dhe ekzaminimet e tjera, të cilat përcaktohen nga mjeku. Të jemi sa më pak të stresuar, të jemi të qetë dhe të bëjmë vizitat e kontrollit, sepse këto janë ato që mund të na ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës”, tha ajo.

Dita Botërore e Zemrës shërben si një mundësi për të vënë në vëmendje kujdesin ndaj shëndetit kardiovaskular. Parandalimi, një mënyrë e shëndetshme jetese dhe vlerësimi mjekësor ndihmojnë në identifikimin dhe menaxhimin në kohë të faktorëve të rrezikut.

Gazetare: B. Cina

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme