Dita e 13-të e protestës/Protestuesit largohen nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, marshojnë drejt Sheshit Skënderbej
Pas incidenteve dhe përplasjeve me policinë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit janë zhvendosur drejt Sheshit Skënderbej, ku situata paraqitet e qetë.
Më herët, protesta para Kryeministrisë u përshkallëzua, pasi një grup protestuesish hodhën gurë në drejtim të institucioneve dhe u përplasën me forcat e rendit. Disa të rinj, të maskuar, sulmuan gjithashtu biznese private, përfshirë një degë të një banke të nivelit të dytë në bulevard.
Policia u bëri disa herë thirrje protestuesve të distancoheshin nga aktet e dhunës, ndërsa ndërhyri me autobotin me ujë dhe gaz lotsjellës. Gjatë incidenteve nisën edhe shoqërimet e para të protestuesve.
Protesta vijon për të 13-ën ditë në Tiranë. Studentë, të rinj dhe qytetarë janë mbledhur fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit dhe më pas kanë marshuar drejt Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra.
Protestuesit kanë refuzuar sërish ftesën për dialog të kryeministrit. Gjatë tubimit, sipas gazetares së RTSH-së, Keti Toroveci, protestuesit kanë thyer dhe u kanë vënë flakën karrigeve të vendosura përpara godinës së Kryeministrisë si ftesë për dialog.
Më herët, grupe studentësh u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit, ku ishte vendosur edhe një kordon policie për monitorimin e situatës. Gjatë grumbullimit, protestuesit brohoritën në kor thirrjet “Dorëheqje” dhe “Revolucion”.
Në orët e para të protestës, situata para ministrisë paraqitej e qetë, pa raportime për incidente apo përplasje me forcat e rendit. Megjithatë, për shkak të numrit të pjesëmarrësve, qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor u ndërpre.
Ministria e Arsimit ka qenë një nga pikat kryesore të grumbullimit të studentëve gjatë ditëve të fundit. Në protestat e mëparshme janë regjistruar episode dhune, përfshirë hedhjen e gurëve dhe djegien e zyrave të institucionit.
Edhe protesta e një dite më parë në Tiranë u shoqërua me kaos dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku pati të lënduar nga të dyja palët.
Pavarësisht tensioneve, studentët dhe të rinjtë vijojnë protestën, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke refuzuar dialogun me të.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




